Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Shkas për këto rradhë është ardhja pranë “sofrës” time, e një fytyre të njohur, me histori suksesi. 24 vite pa e parë dhe pa u takuar, por intuita i një zanatçiu të hershëm të letrave, më orjentoi duke thënë pa u menduar: Nesti Qendro! Së bashku me Qendron ishte edhe një djalë i bukur, me flokë të thurura me kaçurela, si një pikturë tërheqëse e bërë nga dorë mjeshtri. Quhet Filippo Qendro, i datëlindjes 16 gusht 2007. Është i biri i Nestit.

-Kam ardhë, nis të çfaqë sipërfaqen e mendimit Nesti, për të prezantuar djalin në dy testime që zhvillon ekipi përfaqësues i Shqipërisë në U-15. Trajneri Armand Dama dhe stafi i tij, do të shikojnë Filippon. Rolet kanë ndryshuar dhe shpresoj që historia e suksesit të ngjisë sërish.

M’u kujtua ky Nesti Qendro, që e filloi futbollin me trajnerin e parë Vasip Kapidanin dhe që më pas kaloi në duart e ustallarëve Edmond Miha dhe Bashkim Koka. Nesti luajti me “Teutën” nga viti 1990 deri në hyrje të vitit 1998. Lindja e tij daton me 23 dhjetor 1973 dhe 25 vjeçar largohet nga Durrësi, ku bëri karrierë kampioni. Fitoi titullin në vitin 1994, “Kupën e Shqipërisë” në vitin 1995, u përfshi në kombëtaren shqiptare, kur drejtonte Bejkush Birçe nga 92-shi deri në 95-sën. Nesti Qendro mbetet figurë qendrore e futbollit durrsak, në kohën e lulëzimit më të madh të historisë së tij. Lojtar universal, nga të rrallët në këtë detyrë. Mbrojtës si ai, organizator si ai, sulmues si ai. Nga mënyra se si luajti, besoj se do të mbetet gjatë, i palëkundur në memorien e mjedisit sportiv durrsak.

Iku ky Nesti i jonë, si e gjithë “dynjaja” në Itali. Vendoset në qytetin e vogël, por të famshëm për eksportin e prodhimeve të qeramikës Deruta. Është një qytet kodër, që përfshihet në krahinën e Peruxhias, në rajonin e Umbrios. Emri i Nestit është i njohur edhe në këtë zonë të Italisë. Mundësitë për të bërë karrierën që i takonte, ishin të sfumuara maksimalisht. Por dy ekipet rexhionale që i hapën dyert, duke i rezervuar një mikpritje për të mos u harruar janë Villabiagio dhe Papiano. Luajti këtu. Punoi këtu. Lidhi familje këtu. Me shoqen e jetës ishte lidhur që në Durrës dhe së bashku vendosën të sfidojnë në tokë të huaj. Kjo është Ornela, nga fisi i njohur në Durrës Bendo.

Kur e pyeta se ku punon, qeshëm me të madhe. Mjeshtri i topit, është bërë mjeshtër i prodhimit të paisjeve të prodhimit të qeramikave. Saldon mjeshtërisht, duke prerë dhe ngjitur llamarinat, të nxjerra nga duart e tij prodhime cilësore. Më dukej paksa e çuditshme, kur pata rastin të njihem me punën e Nesti Qendros, kampionit durrsak të futbollit dhe i ekipit tonë kombëtar.

Por ky shkrim synon të rrokë tjetër Qendro, që kërkon të jetë përsëri qendër e futbollit. Nesti së bashku me Ornelën, dy shqiptarë të bukur, shtuan familjen me dy yje: vajza Praila dhe djali Filippo. E ndërsa Praila ka thurur jetën me një vëndas në Deruta, Fillippo është në kufirin e 15 viteve. Dhe Nesti me Fillippon kanë punë së bashku, e cila filloi të prekej që në moshën 5 vjeçare, kur i biri u bë 60-të muajsh.

Nesti u caktua të punoj me një ekip moshash, ku përfshiu si pjesë të tij edhe të birin Filippon. Nuhati preferencat e djalit dhe e vendosi mbrojtës të krahut të djathtë. Futbolli i sotëm nuk ka detyra fikse. Natyra e të birit është tamam si e tij, mbrohet por sulmon shpejt, duke e bërë që tani tërheqëse lojën që zhvillon. Ndonëse terma disi të konsumuara “historia vazhdon”, “histori suksesi”, por në këtë rast janë të goditura dhe të vendosura saktësisht në vëndin e duhur.

Ajo që vlen është se Filippo, duke e ndjerë peshën konkuruese të futbollit italian, që duhet të kalosh në “700 kurthe” për të dalë atje ku duhet, është i motivuar 100 përqind për të bërë maksimalen.

Në mëngjes herët del nga shtëpia, me zakonin e hershëm shqiptar duke marrë bukë me vete, shkon në shkollë dhe prej andej pa pushuar udhëton 60 kilometra për t’u vendosur në qytetin e Gubbios. Orë stërvitore pa fund. Punë, shumë punë, shumë sakrifica. Vetëm kështu mund të shkosh atje ku dëshiron. Kjo është e qartësuar nga Nesti, por është i vetëdijshëm edhe vetë Filippo. Është me fat, që në ekipin përfaqësues të 15-të vjeçarëve të serisë C “Gubbio Calcio”, është trajner një emër i njohur i futbollit. 46 vjeçari argjentinas Juan Turki, ku nisi të luajë me ekipin e njohur Estudiantes, erdhi shpejt në Itali dhe u përqendrua në Peruxhia, ku pati rastin të pronësojë fanelet e ekipeve të Viterbeses, Katanias, Specias, Arecos etj.

Turkio është shumë i rreptë në stërvitje, duke tentuar të disiplinoj sa më shumë grupin e futbollistëve. Përpiqet të kapë rezultate inkurajuese, por pa iu ndarë synimit tjetër të evidentimit dhe fitimit të futbollistëve cilësorë. Një ndër to është edhe futbollisti shqiptar, djali i kampionit të 94-trës Filippo Qendro. I gjatë 1.82 m, me peshë trupore 70 kilogram, me fizik të lidhur dhe atletik, i mundësojnë Filippos tonë cilësi konkuruese.

Nesti është në tension. Ishte përgatitur për një testim të Filippos, atë të datës 27 prill në Tiranë. Por vëmëndja e stafit teknik të kombëtares së 15-të vjeçarëve, u shtua dukshëm, duke kërkuar edhe një test seleksionimi me 30 prill në Durrës. Pas kësaj Nesti Qendro me të birin Filippon, u nisën drejt qytetit italian të Derutës.

-Në këtë grumbullim, nget bisedën Filippo kishin ardhë futbollistë nga Anglia, Gjermania dhe Italia. Të përgatitur mirë që të gjithë. Ndjehej ciësia dhe niveli i përfaqësimit. Tregova me sa munda të gjithë performancën time, ku stërvitem dhe konkuroj në gara që nga mosha 5 vjeçare. Shumë punë më mbetet, përpos kësaj që kam bërë deri tani. Për t’u bërë futbollist profesionist, kërkohet punë dhe regjim profesionist. A do t’ia dal? Do të bëj gjithçka kam në dorë.

Nesti me të birin udhëtuan drejt Italisë, duke lëvizur brenda tyre një udhëtim tjetër shumë më i vështirë, por nderues. Nesti dëshiron që Filippo të bëhet dikushi në futboll, pavarësisht se në konkurencën italiane, jo çdokush e realizon këtë. Ata e kanë nisur udhëtimin. “Avioni” i ëndërrave, do të ndalet atje ku duhet. Ata besojnë për këtë. Filippo pranë librave, mban edhe topin. Kulturë, vizion, por edhe karrierë. I jati e ngriti stekën e përfaqësimit. Mund të bënte më shumë, por emigrimi ia ndali vrullin e talentit.

Tani është rradha e Filippos. Ai e ndjen këtë. E ndjejnë miqtë, shokët dhe të afërmit. E ndjejnë ato durrsakë, ato shqiptarë që besojnë tek ai. Tek “Gubbio Calcio” është në formacionin kryesor. Ka shumë shkallë për të ngjitur, drejt lartësisë së pafund të fuqisë së futbollit. Ëndërron shumë.

Kërkon të luajë, por të flasë gjithnjë me gjuhën e talentit. Kërkon edhe kombëtaren e moshës dhe mbase pas disa vitesh pse jo edhe kombëtaren shqiptare ku luajti dikur i jati, Nesti i talentuar i futbollit, i cili ka dhe një rekord më vete. Brenda katër ditësh bëri dy ndeshje të mëdha, njërën me U-23 dhe tjetrën me ekipin A. Atëherë u luajt kundër Irlandës. Dhe tani i biri. Historia e kërkon përsëritjen, si vetë forca dhe fuqia e talentit të tyre.

Filippo Qendro. I biri i Nesti Qendros. E ardhmja i përket atij.
Durrës: 3 maj 2022