Prej një viti, Lorela Deliallisi, i është përkushtuar sportit të çiklizmit. Së bashku me Marsela Luzin dhe Ornela Dulen ato kanë krijuar ekipin e parë çiklistik në Shqipëri, atë të Teutës.

Ajo vjen çdo ditë nga Shijaku për t’u stërvitur dhe i është përkushtuar me pasion çiklizmit.

I konsideruar gjithnjë si sport mashkullor, për Lorelën nuk ka qenë shumë e lehtë në fillim, pasi paragjykimet nuk mungonin.

Por dashuria për biçikletën dhe puna me profesor Dashin ia kanë bërë më të lehtë angazhimin në këtë disiplinë.

Ekipit çiklistik të femrave të Teutës, sot iu dhuruan disa biçikleta karbon, që pritet të përmirësojnë ndjeshëm përgatitjen e tyre sportive.

Për presidentin e Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, pas krijimit të ekipit të parë të femrave pritet që të tjerë klube të ndërmarrin këtë hap.

Ndërsa trajneri i ekipit Dashamir Rama thekson se puna me vajzat nuk do të jetë e lehtë, por përkushtimi do të jetë maksimal.

Për drejtorin e Klubit Shumësportësh “Teuta”, Kreshnik Leka thyerja e tabusë me krijimin e ekipit të femrave është një arritje e rëndësishme, ndërkohë që thekson se vajzave do t’u ofrohet gjithë mbështetja e nevojshme në mënyrë që të rritet edhe më shumë pjesëmarrja e vajzave të tjera në këtë sport.

Në kampionatin kombëtar të Rrugës, Teuta u përfaqësua me tre çiklistet dhe arriti një rezultat mjaft të mirë duke marrë 2 medalje. Marsela Luzi doli në vendin e dytë, Lorela Deliallisi zuri shkallën e tretë të podiumit, ndërsa Ornela Dule pati një performancë pozitive, por nuk e preku dot zonën e medaljeve.

M.B.