“Djemtë e detit” vazhdojnë të punojnë sipas programit të stafit teknik. Faza përgatitore në qytetin bregdetar është shumë e rëndësishme për nivelin që duhet të arrijë skuadra për sezonin e ri dhe kjo ka bërë që futbollistët të jenë në atmosferë pozitive.Ritmi i stërvitjeve vazhdon të jetë i lartë. Skuadra punoi me një seancë të kombinuar për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike. Stërvitja e filloi me nxemje të lehtë, ku pergatitësi atletik Mark Dodaj vazhdoi punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me lojën me top dhe me konkretizim para portës.

Të gjitha repartet po marrin vëmendje shumë të madhe, ku futbollistëve u kërkohet më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe më shumë inkursione nga lojtarët. Hodo kërkon me ngulm që skuadra e tij të rikthehet te loja e bukur që dhuroi në kampionatin që sapo u mbyll dhe të bindë gjithashtu në rezultate dhe duket se i ka të gjithë përbërësit e duhur për diçka të tillë.Sezoni i ri pritet të jetë shumë i rëndësishëm. Stafi teknik po e përgatit me kujdes nisjen e sezonit dhe synimi është arritja e objektivave. Në stërvitjen e djeshme për Teutën nuk mungoi asnjë lojtar dhe në skuadër janë të gjithë në gjendje optimale, ku po vijojnë punën me ritme mjaft të mirë. Përjashtim bën mbrojtësi Jazxhi, i cili kthehet në Durrës me mbylljen e aventurës europiane me Vllazninë.

Gjithashtu trajneri ka zhvilluar dhe një mini-ndeshje për rreth 20 minuta, për të vlerësuar dhe situata të ndryshme taktike të lojës. Këto ditë do t’i shërbejnë stafit për të njohur sa më shumë skuadrën, që ndryshe nga ndeshjet zyrtare, do të testojë dhe emrat e rinj, të afruar së fundmi në ekip. Faza përgatitore për skuadrën e Teutës ka vazhduar në mënyrën e duhur dhe brenda normave të programeve të punës nga stafi teknik.Përveç zhvillimit dhe rikthimit të formës së duhur te futbollistët, gjendja e tyre shëndetësore është mjaft stabël, meritë kjo e punës profesionale të cilën po e bëjnë stafi teknik në bashkëpunim me mjekët dhe fizioterapistët e klubit të Teutës. Atmosfera e mirë brenda kampit të durrsak gjithmonë ka qenë një tregues i saktë për mënyrën e funksionimit të klubit sikurse një familje.