Një djalë i ri nga Durrësi ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik me motor të ndodhur disa ditë më parë në Itali.

Viktima është Darli Kërniqi, 23 vjeç nga Durrësi, i cili fatkeqësisht nuk ia doli t’i mbijetonte aksidentit fatal. Ai përfundoi në koma pas një aksidenti në Pisa ku edhe banonte. Kërniqi pësoi traumë të rëndë dhe ndërroi jetë tre ditë pas shtrimit në spital në Cisanello.

Ndërkohë këtë të shtunë trupi i pajetë i të riut ka mbërritur në vendlindje dhe do të përcillet në banesën e fundit po pasditen e sotme, raporton “DurrësLajm”.

Aksidenti i rëndë që i kushtoi jetën Darlit ndodhi pak ditë më parë në Via Marsala kur ai po drejtonte një motor tip Honda dhe përplasi një këmbësor 83-vjeçar (i cili ende ndodhet në gjendje të rëndë).

Sipas dinamikës së ngjarjes së raportuar nga mediet italiane, pas përplasjes, drejtuesi i motorçikletës humbi kontrollin dhe fluturoi për disa metra, çka rezultoi fatkeqësisht një përplasje fatale për të.