Kandidatja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Durrësit, Jola Hysaj në një status në rrjetet sociale denoncon realitetin e presioneve dhe përjashtimeve të heshtura ndaj qytetarëve që guxojnë të mendojnë ndryshe.
Në mesazhin e saj, Hysaj thekson se në Shqipërinë e sotme, përndjekja politike nuk ndodh më me dokumente zyrtare, por me “telefonata, përjashtime të heshtura dhe izolim shoqëror”, duke paralajmëruar se kjo nuk është thjesht një çështje partie, por një kërcënim për çdo qytetar të lirë.
Postimi i plotë:
Kur qytetarët ndëshkohen për bindjet e tyre, nuk kemi më demokraci. Kemi vetëm fasadë.
Sot, në Shqipëri, përndjekja nuk vjen më me urdhra të shkruara. Vjen me telefonata. Me përjashtime të heshtura. Me presion mbi ata që guxojnë të mendojnë ndryshe.
Nuk është nevoja të jesh opozitar për ta ndjerë. Mjafton të jesh i lirë.
– Kush flet ndryshe, shpallet problem.
– Kush mendon ndryshe, bëhet i padëshiruar.
– Kush nuk hesht, ndëshkohet me izolim, përjashtim, përçmim.
Ky realitet nuk prek vetëm ata që flasin sot. Prek nesër edhe ata që heshtin sot.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga bindjet e veta. Askush nuk duhet të ndëshkohet për lirinë e tij.
Demokracia nuk është rehati për pushtetin, është garanci për qytetarin.
Unë besoj te një Shqipëri ku askush nuk përndiqet për atë që mendon.
Një Shqipëri ku dallimi në mendim nuk quhet rrezik, por pasuri.