Një 45-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Kol Bushpepa alias Sokol Bushpepa, 45 vjeç, banues në Rrëshen, u kap në lagjen Vasil Shanto, pasi rezulton i dënuar në Itali me 5 vite e 3 muaj burg për organizatë kriminale si dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim, ndërsa policia po punon për të bërë të mundur ekstradimin e tij drejt shtetit fqinj.
“Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Kol Bushpepa alias Sokol Bushpepa, 45 vjeç, banues në Rrëshen.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit, Itali, e ka dënuar me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim.”, njofton policia.





