Policia e Durrësit ka arrestuar një 26-vjeçar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

26-vjeçari Romario Frati, banues në Manzë, akuzohet nga Gjykata e Peruxhias, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Policia njofton se i riu do të ekstradohet drejt shteti italian.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Manza”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Manzë dhe Interpol Tirana.

Kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimi, një shtetas i kërkuar në Itali, për trafikim të narkotikëve.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë dhe Interpol Tirana, u bë kapja dhe arrestimi me qellim ekstradimi, i shtetasit:

Romario Frati, 26 vjeç, banues në Manzë, Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Peruxhias, Itali, më datë 10.01.2022, ka lëshuar urdhër arrestin për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.