Policia e Durrësit ka arrestuar një 28-vjeçar, pasi paraditen e sotme i vodhi çantën një turisteje angleze në verandën e një lokali në bulevardin “Epidamn” .

Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi Kreshnik Margjoni, banues në lagjen nr.17.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan çanta e turistes angleze, me sendet personale brenda saj, si dhe një thikë që iu gjet 28-vjeçarit.

Po ashtu, policia njofton se ky shtetas, është autor i tentativës për vjedhje nën kërcënimin e një thike, në filialin e një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur në lagjen nr. 4, Durrës, në vitin 2018.

Njoftimi i policisë:

Vodhi çantën e një turisteje angleze, brenda së cilës kishte sende personale, vihet në pranga, brenda pak minutash, 28-vjeçari.

28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve.

Gjithashtu, ky shtetas, autor i tentativës për vjedhje nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), në filialin e një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur në lagjen nr. 4, Durrës, në vitin 2018.

Sekuestrohen çanta e turistes angleze, me sendet personale brenda saj, si dhe një mjet prerës (thikë) që iu gjet këtij shtetasi, gjatë arrestimit.

Shërbimet e Komisariarit të Policisë Durrës dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në verandën e një lokali në bulevardin “Epidamn”, një shtetas i kishte vjedhur çantën një shtetaseje 42 vjeçe, nga Anglia, turiste në vendin tonë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit të këtij rasti.

Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta profesionale, shërbimet e Policisë identifikuan menjëherë autorin dhe u vunë në ndjekje të tij.

Brenda pak minutash, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga, shtetasin K. M., 28 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan çanta e turistes angleze, me sendet personale brenda saj, si dhe një mjet prerës (thikë) që iu gjet shtetasit K. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, 42-vjeçarja nga Anglia ka falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar për të përcjellë siguri për turistët që vizitojnë Durrësin dhe Shqipërinë.