Tri ditë pas zgjedhjeve, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Durrësin, Igli Cara, ka reaguar pas rezultatit humbës.

Në një reagim të pak minutave më parë në “Facebook”, Cara fillimisht falëndëron dhe i shpreh mirënjohjen e tij çdo qytetari dhe çdo demokrati që e mbështeti në këtë rrugëtim.

Ai shton se ky rezultat u ndikua nga shumë faktorë: “i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.”

Cara në fund thekson se Durrësi mbetet familja e madhe, ku lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për të mbeten zgjedhje pa kompromis.

Reagimi i plotë i Carës:

Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje!
Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e proçesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis.
Faleminderit me zemër!

Kandidatja e Partisë Socialiste Emiriana Sako fitoi garën për kreun e bashkisë së Durrësit, me 9728 vota diferencë nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Igli Cara.

Sako siguroi 48 512 vota në total, ndërsa Cara 38 784 vota, ndërsa 2473 vota janë regjistruar të pavlefshme.