Nga BUJAR QESJA

Detyrë të vështirë more o gazetar! Kështu i fola jo vetëm njëherë vetes, duke e ditur fort mirë barrën e madhe të përgjegjësisë. Kam folur e shkruar i përmalluar për këtë Durrës timin, për këto durrsakë gjithashtu të mi. Kam vite e vite, që e bëj këtë punë. Durimi nuk më shter, e dashuria më kullon nga shpirti i ndjeshëm. Iljaz Reka më ishte ulur në këtë zemrën time, që italianët pas operacionit më thanë që e ke shumë të fortë, me tërë legjendën e thurur nga populli për punën dhe përpjekjet e tij.

Përsëri i thoja vetes: Detyrë të vështirë more o gazetar! Barrë shumë e rëndë! Iljaz Reka është i gjithëpushtetëshmi shpirtëror i durrsakëve. Është emblema e gjithçkaje, kur është bërë mirë në Durrës. A vërtet ke besim, se do t’ia dalësh? U krijua një opozicion delikat: nëse mundesh apo jo? Dhe kjo është vetja ime. Emër i madh. Nami i jashtëzakonshëm. Përpjekjet mbinjerëzore për sistemin, ku koha e vendosi të punonte. Pagjumësia kur mendonte hallet dhe dertet e njerëzve, veçanërisht të durrsakëve. Praktika e qendrimeve të kundërta, me sigurimin e shtetit të Iljaz Rekës. Pa as më të voglin hezitim, mbeten nga ato angazhime të mijat, me doza të guximit njerëzor dhe ato profesional.

Njerëzit e thjeshtë, të mënçur, me intelekt dhe zgjuarsi, të urtë dhe fisnikë, sakrifikues dhe të gjindëshëm, frymëzues dhe përkushtues, të sinqertë dhe me vullnet, me humor dhe mendim shkencor, human dhe optimist, të premtimit dhe mbajtjes së fjalës, të nderit dhe besnikërisë, të trimit dhe energjikut, të çiltërsisë dhe masovikut, vizionarit dhe të diturit, të ndjeshmit dhe nismëtarit, të jo arrogantit, prepotentit por tolerantit dhe i afrueshëm, me zemër të madhe dhe arkitekt të mendimit si Iljaz Reka, për këto dhe 1000 epitete të tjera vlerësuese, duan mund e fuqi mendimi për t’i shkruar.

Kam disa javë që “komunikoj” me Iljaz Rekën. Libri për të me kujtime “Nderim për Iljaz Rekën”, qendron në komodinën pranë shtratit tim të fjetjes. Në kopertinën e librit është “strehuar” portreti tërheqës i Iljaz Rekës, i cili buzëqesh dhe të vështron në sy. Për t’u ngarkuar psikologjikisht, për shkrimin e parë dhe të plotë kushtuar këtij burri të madh të Durrësit, “flitja” me të për çdo ditë.

Sapo hapja sytë, ku drita shpresë e mëngjesit tentonte të pushtonte dhomën time të gjumit, shqiptimi i parë ishte :”Mirëmëngjes Iljaz Reka”! Vonë në mesnatë, ku drita ishte fshehur dhe para se të mbyllja sytë, bëja shqiptimin e fundit të ditës: ”Natën e mirë Iljaz Reka”. Thellë nga shpirti im, më dukej se dëgjoja një zë të butë, të ëmbël, joshës dhe përkëdhelës:

“Si jeni ju durrsakët e mi të shtrenjtë”?. Është zëri i Iljaz Rekës, që nuk është shuar dhe as që ka ndërmënd të shuhet.

Shpirti i tij, përjetë i bashkuar me shpirtin tonë. Sepse në të gjallë punoi për ne, jetoi me ne, na dha gjithçka mundej, derisa mbylli sytë për të shkuar në pushimin e përjetshëm. Ky djalë i bukur, ky djalë i lindur veçse për të bërë mirë dhe kur ishte vetë në dhimbje, u lind në krahinën e Rekës, për të qenë një lum i pandalur, duke zbutur hallet e mëdha të popullit.

Do të përpiqem t’ia dal, ndonëse jam në lupën e vëmëndëshme të lexuesit. Përvoja është shkollë, por në rastin e shkrimit për Iljaz Rekën, më duhet të rikonfirmoj diplomën profesionale. Në këtë sipërfaqe të ndjeshme njerëzore, lidhi jetën dhe punën burri i madh i Durrësit Iljaz Reka. Abedin Reka, gjyshi i Iljazit u vendos në Durrës në vitin 1934. Djali i Kadri Rekës, Iljazi, shënonte 10-të vite të jetës. Në vëndin ku ndërtoi Abedin Reka, erdhën dhe dibranë të tjerë si fisi Hoxha, Lazimi, Jareci etj.Në Durrës njihet si lagja e dibranëve.

Iljaz Reka nuk jetoi për të marrë nam. As nuk mund ta mendonte këtë. Iljaz Reka nuk u ngjit në karierë, për t’i bërë duart me kallo duke rrahur gjoksin, për të të ofruar një lloj prepotence dhe arrogance partiake me fuqi edhe pushteti. Kurioziteti më shtyu të kërkoja në fjalorin e arabishtes së vjetër, prejardhjen e këtij emri mysliman. Dhe përkimi vjen në mënyrë hipnotizuese, duke iu nënshtruar befasisë dhe praktikës jetuese.

Iljaz është një bimë e gjelbër dhe me aromë të mirë. Ajo që e bën më tërheqës këtë emër dhe shton më shumë përmasat e vëmëndjes, është njohja edhe nga izraelitët. Iljaz është profet në popullin ebre. Dhe po qe profet, je njeri me dhunti të thella morale dhe fuqi të madhe shprehëse. Flet nga frymëzimi hyjnor, duke qenë paralajmërues, parashikues dhe parathënës i së ardhmes.

Por ajo që vlen dhe të ndjehem mirë në komoditetin njerëzor, është se ky Iljazi ynë i Rekajve, mbeti perëndia dhe profeti i durrsakëve. Ai u hodhi bashkëqytetarëve dhe i mbuloi me pëlhurën gjigande të mirësisë, mënçurisë, burrërisë dhe trimërisë, dashurisë së pakufishme, përkushtimit dhe përbetimit në ekstrem, për të mos i lënë ata kurrë të vetëm. I mbuloi me këtë pëlhurë të shpirtit të tij, për t’i mbrojtur me sa mundej, deri në dekikun e fundit të frymëmarrjes.

Drita e parë të përkëdheli me 6 dhjetor 1924, për t’u përkundur në djepin e florinjtë të përjetësisë me 27 dhjetor 1975. Segmenti jetësor 51 vite e 21 ditë. Shumë pak në anën formale, por e mjaftë për të bërë atë histori të rrallë, atë histori prekëse, atë histori njerëzore, që të vendos në burrat e rrallë të Durrësit, në mos më i veçanti. Më ndje Iljaz Reka! Kjo nuk është mburrje, që thjeshtësia dhe modestia jote e flakte. Kështu të gjykojnë, jo vetëm 47 njerëzit të fiksuar në një libër kujtimesh për ty, por një Durrës i tërë, një popull i tërë. Kur punon për njerëzit, dashurohesh dhe vendosesh gjithkohësh në shpirtin e tyre.

Epitetet dhe figuracionet për ty Iljazi ynë i paharruar, asnjëherë nuk janë dhe nuk do të jenë të tepërta. Ti nuk punove për to, por njerëzve që u shërbeve u takon të shprehen. I miri dhe i dashuri ynë Iljaz Reka! Në çdo hap që hodhe, në çdo mendim tëndin, në çdo praktikë dhe në çdo pozicion që u vendose, nuk u ndave nga njerëzit. Nuk mund të përshpejtojë koherencën dhe të vendosë të shkruaj fjalinë, se ishe për ekonominë e tregut. Kjo nuk mund të ekzistonte, në kohën kur gijotina e “politikës së madhe”, bënte kërdinë e këputur njerëz të pafajshëm, herë nga lufta kundër sistemit, herë si disidencë, herë si kundërshtarë të hapur, por veçanërisht shumë herë nga kobëzeza lufta e klasave.

Krahas të qenurit në moshën 21 vjeçare, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut Durrës, të zëvëndës kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit, të 15 viteve si ministër dhe zëvëndësministër i bujqësisë, të këshilltarit për çështjet ekonomike, të 10 viteve Kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Durrësit, ti Iljaz Reka, mbete shtyllë e mbrojtjes së interesave njerëzore. Nuk kemi të dytë në Durrës, që të jetë “përleshur” hap pas hapi me këtë luftë të klasave, që ia nxiu jetën popullit. Dhe e bërë këtë mbrojtje me shumë finesë, me mjeshtërinë dhe aftësinë e një burri të aftë, të mënçur, të urtë dhe shumë kurajoz.

Sfidat e tua janë të shumta, sa që lapsi im, po mbase edhe i shumë të tjerëve, nuk mjafton për ti shënuar. Kam çfletuar, kam hulumtuar, kam “gërrmuar” në ato materiale ku shkruhej Iljaz Reka dhe nuk soset mali i të mirave, që ke bërë o burrë i madh i Durrësit dhe jo vetëm. Nga ta zë? Nga ta filloj? Nga ta nis? Cili është guri i parë dhe i fundit i këtij mali? Shumë dimë, e shumë nuk dimë. Por ajo që dihet është, mbetet dhe nuk ka për t’u tronditur në jetë të jetëve, se në Durrës jetoi dhe punoi Iljaz Reka, njeriu i mrekullive për durrsakët.

Lufta dhe përpjekjet, nuk t’u ndanë Iljaz Reka tërë kohën. Luftove me armë në dorë. Luftove edhe me mëndje. Madje kjo ishte edhe më e ashpër, se ajo e para 45-sës. Shok i ngushtë me djalin e pashëm dhe të mënçur të Durrësit Nako Spiron. Të frymëzonte ky klas i lartë i diturisë. Mbarove studimet e larta për ekonomi, pasi zhvillimi kërkonte njohuri, për t’ia bashkëngjitur terrenit praktik të punëve. Specialist i ekonomisë, por veçanërisht i bujqësisë. Çdo ngastër që plugohej, çdo bimë gruri e rrënjë misri, çdo boçe pambuku, çdo njësi blegtorale, kishte brenda dëshirën tënde për përparim, për zhvillim, për mirëqënie.

Shkruaj. Ndalem. Mendoj. Më ngjason shkrimi, si një hapsirë e pafund. Të mira, të mira, veç të mira bëre Iljaz Reka! Ky nuk është thjesht mendimi im, konstatimi im, dëshira ime. Dhe kundrejt dëshirave të mëdha për t’u çfaqur kështu, e vënë në vështirësi penën e gazetarit, sado e stërvitur të jetë ajo. Iljaz Reka nuk u pozicionua si partiak i devotshëm dhe prepotent në çfrytëzimin e detyrave. Ai e vendosi pushtetin për të ndihmuar dhe për të zbutur me sa mundej, radikalizimin e herëpashershëm të platformës bazë të partisë në drejtim të luftës së klasave.

Formimi anonte nga idealizmi i vlerësimit të njeriut, për të qenë gjithnjë pranë tij e amortizuar në maksimumin e mundësive, në vështirësitë që haste. Burrë i pashëm, do të lidhej me vajzën simpatike durrsake, nga fisi i njohur i Kazanxhive Krisavgjinë. Shpirti i tyre i pastër si kristal dhe detyrimi maksimal ndaj njerëzve, do të mbetej temë tërheqëse e durrsakëve. Krisavgjia, mbaroi studimet e larta në mjekësinë hungareze për pediatre. Dhe ishte shumë e zonja.

Iljaz Reka ky përkushtues, angazhues, sakrifikues dhe vetmohues, punonte shumë. Shumë i ri dhe i ngarkuar me detyra të rënda, që kërkonin energji, forcë fizike dhe kthjelltësi mendore. Kujton Krisavgjia:

-Për shkak se ishte shumë i zënë me punë, shpesh herë e prisja gjatë, madje edhe në poltronat e ministrisë sa të mbaronte punët. Por kjo gjë nuk më bezdiste, përkundrazi më mësoi që të vlerësoja punën e përkushtimin e Iljazit, për t’ua zgjidhur problemet njerëzve në nevojë. Kjo gjë më bëri, që ta doja e ta vlerësoja Iljazin realisht. Ta ndjenja veten të lumtur për personin që më kishte dhënë fati, ta kisha shok e partner të jetës time”.

Nga 1948 deri më 1965, Iljaz Reka punoi në Tiranë. Bujqësia duke e ndjekur si ministër dhe zëvëndësministër, e bëri të njohur dhe e ktheu në specialist të mirfilltë. Natyra komunikuese, i paisur me cilësitë më të mira njerëzore, e bënë Iljaz Rekën të fitonte zemrat e kolegëve, bashkëpunëtorëve, të kuadrove e specialistëve dhe deri tek bujqit dhe blegtorët e vijës së parë të prodhimit.

Ndërtoi jetë itensive, duke krijuar raporte të zgjedhura ndërmjet punëve në zyrë dhe ato në terren. Duhej edhe të lexonte, të studionte, për t’u prezantuar gjithnjë si intelektual me kërkesa të avancuara. Biblioteka e tij, ishte mjaft e pasur. Preferonte poezitë e Naim Frashërit, që i kushtoheshin bukurive dhe natyrës mahnitëse të Shqipërisë, krijimtarisë së Migjenit, Kadaresë dhe Agollit, mënçurisë dhe profecive të Sami Frashërit. Kujtonte gjithnjë mësuesit e Shkollës Qytetëse dhe veçanërisht Vasil Ziun, Dhimitër dhe Nikolla Gjergon, e Xhema Tiranën. Miqësia dhe bashkëpunimi me Nako Spiron, Pajo Shytin, Thoma Deljanën, Mentor Përmetin, Maqo Çomon etj. i dhanë hapësirë dhe nxitje përkushtimit në detyrë.

Besonte në ato që thonte dhe i bindur në ato që bënte. Pasionin dhe përkushtimin ndaj bujqësisë, ia rrënjosi edhe të vëllait Agronit. Mbaroi studimet e larta për inxhinjer të sistemimeve bujqësore, duke kaluar deri në sferat e larta të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Dashurinë për sportet, pasi kishte qenë më parë futbollist në shoqërinë sportive BEF, ia përcolli edhe rrethit të tij familjar. Agron Reka kampion i thekur i pingpongut, ndërsa Nysreti, Lumturia, Flutura dhe Abedini ushtruan cilësisht lojrat me dorë.

Ardhja në Durrës në vitin 1965, mezi pritej nga djali i këtij qyteti Iljaz Reka. E njihte Durrësin si nëna fëmijën. Harku kohor prej 10 vitesh 1965 -1975, do të kthehej në triumfin madhështor dhe do t’ia lartësonte emrin në kufijtë e përjetësisë Iljaz Rekës. Banorët e Durrësit do të kishin rastin më fatlum, të udhëhiqeshin nga një mëndje e artë, nga një zotni i rrallë, i mënçur dhe i ditur, nga një burrë stoik dhe i qendrueshëm, nga një shpirt i ndjeshëm dhe i prekshëm, që i qante zemra dhe xhani për ta.

Kur vinte vonë në mbrëmje në shtëpi, pas një dite rraskapitëse pune, do t’i thonte Krisavgjisë:

-Shumica e hallexhinjve që vijnë në zyrën time, kanë të drejtë për çka kërkojnë. Më dhëmb në shpirt, kur nuk ua plotësoj dot kërkesat që bëjnë.

Ishte fat për Durrësin, që në krye të Komitetit Ekzekutiv të kp të rrethit të Durrësit, ishin për 10-11 vite burrat e mëdhenj dhe të përbetuar, trima dhe të bindur në mbrojtje të interesave të durrsakëve, përkushtues në çdo qelizë të trupit të tyre, për të bërë punë të mbara në Durrës. Dhe këta tre historikë dhe stoikë ishin Iljaz Reka, Feruz Mataj dhe Marko Karoli.

“Unë me Feruzin jam marr vesh me sy, me shikim, pa qenë nevoja të flasim. Komplimenti më i bukur që kam marrë nga një shok.” Kështu lexohet në kujtimet e Feruz Matajt. Shkëlqimi i punës së Iljaz Rekës, do të mbetet i pazbehur deri në fund, në përmasat e memories që nuk do ta mund harresa.

Iljaz Reka e fillonte herët ditën e punës, për ta lënë shumë vonë. Etja përkushtuese dhe përbetuese e tij për të shërbyer, e thyente limitin kohor. Punë, lodhje, komunikim me njerëzit, durim, këmbëngulje, qetësi dhe maturi, përsëri ngarkesë, e optimizëm për ta rinis të nesërmen më me vrull, më me bindje për të plotësuar idealizmin dhe përkushtimin.

Koha e Iljaz Rekës në Durrës, është koha e lulëzimit dhe e zhvillimit të plotë të kulturës, arsimit, artit, sportit, detarisë, arkeologjisë, investimeve dhe shërbimeve. Është koha kur durrsakët u vendosën më shumë pranë njëri tjetrit. Ndjeheshin nevojat për punësim, përmirësimin e kushteve të jetesës, për strehim dhe shërbime.

Në kujtimet e tij, drejtuesi i fizkulturës dhe sporteve për rrethin e Durrësit Mustafa Çelkupa shprehet:

-Më thërret Iljaz Reka dhe ishte i shqetësuar për sportet. Më thotë :”Jemi durrësak, duam që Durrësi të jetë përkrah Tiranës. Për çdo vështirësi që të hasësh, eja tek unë”

Dhe dihet se çfarë kthese kolosale u bë atëhere, me sportet dhe infrastrukturën sportive. Brenda pak viteve u ndërtua stadiumi “Niko Dovana”, pallati i sportit “Ramazan Njala”, pishina e notit “Taq Dafa”, terrene lojrash në çdo rrugicë e lagje, në çdo qendër pune e prodhimi. Në Kavajë stadiumi “Besa”. Në Spartakiadën e Katërt Kombëtare Durrësi e theu Tiranën, por vendi i parë iu mohua nga “politika e madhe dhe imponuese” e kohës.

Në kulturë dhe arte, përmirësime të ndjeshme. Gjergj Vlashi nënvizon, se estrada dhe teatri kanë bërë premierat më të bujshme. Trupat artistike amatore realizuan të famshmen operan “Bijtë e Skëndërbeut”, jehona e së cilës zor se shuhet. U ndërtua teatri “A. Moisiu” dhe qendra kryesore e lëvizjes kulturore në Durrës. U zbulua dhe filloi restaurimi i amfiteatrit gjigand. Miq të Iljaz Rekës u bënë arkeologu Vangjel Toçi, emrat e njohur në muzikë Pjetër Dungu dhe Enver Mara, regjisori Gjergj Vlashi, aktori Nikolin Xhoja. Pse jo, një popull i tërë.

Në planin e investimeve të tjera spikatën, ndërtim i i plazhit të Currilave, teatri spektakolar veror, Parku “Rinia”, zgjerimi dhe modernizimi i Uzinës Mekanike Bujqësore, Uzinës së Radio Televizorëve, Kantjerit Detar, Ndërmarrja Kimike e mjaft sipërmarrje të tjera. Ishte menduar që nga Kodër Vila, të zbritej në plazhin e Currilave të me teleferik. Nga Tirana nuk e lejuan, për mungesë fondesh…! Natë dhe ditë, ky burrë i madh mendonte për Durrësin dhe durrsakët. Sikur ta ndjente që jeta do të ishte e shkurtër, ai nxitonte dhe vetëm nxitonte.

Iljaz Reka e dinte, e ndjente dhe aq më shumë e kuptonte, që gjithë këto arritje do të bëheshin nga qytetarët durrësakë dhe të zonave të tjera të populluara të rrethit të Durrësit. Por ato kishin edhe halle. Donin e kërkonin, t’u plotësosheshin edhe kërkesa jetike, veçanërisht problemet sociale. Dhe këtu mbetet tjetër shkëlqim i Iljaz Rekës, shpirti i pastër si cipa e qepës, ku zemra e tij punonte me ritmin dhe rrahjet e zemrës së njerëzve që kërkonin prej tij. Dhe ai aty u ndodh. Dhe ai aty ishte, për të mbetur gjithëkohëshëm pranë tyre.

Në popull flitet për të. E kam dëgjuar dhe e kam prekur, këtë që po shpreh tani. “Durrësit nuk i vjen më Iljaz Rekë. Nuk lind më nëna, tjetër të dytë”.

“Zbutës i luftës së klasave”! Kështu konkludoi delegacioni fantazëm me benza të zinj, që u dërgua nga i pari i partisë në Durrës, në pranverën e vitit 1975. Dhe Iljazin, zemrën dhe shpirtin e durrsakëve e lëvizën për në Lushnje, por nuk lëvizën dhe nuk do të lëviznin dashurinë, respektin dhe mirënjohjen e një popullit të tërë për birin e tyre, për djalin e tyre, për atë çka bëri dhe dha në të gjallë.

Mund të harrohet Iljaz Reka, nga ky popull i qytetit tim? Asnjëherë jo. Me mburrje shprehej pa hezitim : “Këta janë durrsakët e mi”! E kam të nevojshme si pjesë të shkrimit, të vendosë mendimin e shkrimtarit të njohur Nasho Jorgaqi.

-Komunizmi i tij kishte frymë humane. Nuk kishte të bënte me etikën zyrtare dhe sloganet, me diktatin dhe hijen e pushtetit. Harmonizoj njeriun fisnik me njeriun e pushtetit, që vihej në shërbim të së drejtës dhe përparimit. Humanizmi i tij dëndur amortizonte faktorët politikë, ndaj dhe direktivat nga ai zbuteshin me sa më pak dhimbje, mundime e shqetësime që sillte politika.

Iljaz Reka ka bërë ndere në Durrës. Çdo njeri që pati rastin të takohej me të, ti qante një hall, të kërkonte një mbështetje, të merrte një siguri, të ndihmohej sadopak, kujton përpjekjet për ti ndihmuar. Bëhej copash, për të bërë ç’të mundte. Më shumë se cilido Iljaz Reka e dinte, e ndjente, e kuptonte se shumë ndere që bënte, kishin kosto politike. Nuk u bë qoftë edhe në një ditë të vetme, flamurtar i luftës së klasave dhe stalinizmit.

Liri Belishova :” Ndodheshim në Fier me Iljaz Rekën. Ishte viti 1960. Sekretari i Komitetit të Partisë, i paaftë, i priste ashpër vërejtjet që bënin disa kryetarë kooperativash për zhvillimin e blegtorisë. Ata kërkonin të trajtohej lopa ku mundej, në vënd të dhive. Thonte: ” Shoku Enver ka thënë, se dhia është lopa e fshatarit të varfër”. Dhe Iljazi më shkroi në fletën që kishte përpara. “Po ne duam të mos e lemë fshatarin të varfër, ta bëjmë të pasur”.

Durrsakët dhe lushnjarët, kavajasit dhe shijakasit, rrogozhinasit dhe ishmakët, aty ku vinte këmbën ky burrë i çquar, e kanë ndjerë diferencën ndërmjet Iljaz Rekës dhe ministrave, drejtuesve të sferave të larta, të paaftë, mizorë e të pashpirt.

Iljaz Reka t’i shëronte plagët si me melhem. Të ofronte dhe jo të shtynte, të buzëqeshte dhe jo të ironizonte, të jepte krahun dhe jo shkelmin, të zbuste hallin dhe jo ta shtonte, nuk të gënjente por të thonte të vërtetën, të donte dhe nuk të urrente, qante për hallin tënd dhe bënte çmos ta zgjidhte, ishte aktiv dhe jo indiferent për atë çka ndjente dhe çka prekte, nuk ishte i qetë kur kishte shqetësime, nuk gëzonte kur të tjerë vuanin hidhërimin, jetonte me ty dhe për ty.

Moikom Zeqo: ” Në shtator 1973, erdhi në gjimnazin e Rrogozhinës ku jepja mësim. Kisha ardhë me masë pas plenumit të katërt, duke më hequr nga gazeta “Drita”. U tha nxënësve se: “Mësuesi i tyre ishte nga poetët më të talentuar të Shqipërisë, pa dyshim do të bëhet një mësues i mirë dhe i suksesëshëm”. Të njëjtën gjë aprovoi edhe Thoma Deljana, aso kohe Ministër i Arësimit. Unë shtanga! Ishte e pamundur që Iljaz Reka të mos e dinte që isha dënuar, isha kritikuar ashpër madje. M’u duk e guximshme, por njëkohësisht plot dinjitet dhe mënçuri. Ishte sfidë e plotë. Asnjë njeri, se ka bërë këtë me mua. Ai ishte i vetmi që e bëri”.

Ndëshkimet për “kleçka, apo njolla biografike” që u bëhej njerëzve, e dërrmonte shpirtërisht birin e shtrenjtë të Durrësit Iljaz Rekën. Por zemra e tij i ishte “shitur” durrsakëve, njerëzve të thjeshtë e pa përkrahje, një pjesë e të cilëve etiketoheshin, përçmoheshin, persekutoheshin, poshtëroheshin, e kudi tjetër se çfarë. Jo! Jo! Nuk mund a bënte dhe sdo ta bënte asnjëherë këtë. Do të gjente forma dhe mënyra të ndihmonte, paçka se do të kishte kosto, rrisqe dhe ngritje pritash.

Tajar Bonjaku, veteriner vlonjat, që punoi tërë kohën në zonën e Kavajës, u akuzua për vetëadministrim jugosllav. “Biseduam me Iljaz Rekën: pse të mbjellim pambuk dhe jo misër? Pambuk marrim 13 kv për ha, ndërsa misër 100 kv për ha. Ta eksportojmë misërin dhe të blejmë pambuk, që ia kalonte sasisë që mund të merrej nga prodhimi ynë. Iljazi na mbështeti”. Por Tajar Bonjaku dhe Sabri Cevrani u plasën në burg, sepse dolën jashtë praktikës çfarrosëse: “ ja vija jote, ja vija ime”.

Nuk dëshiroj ta rëndoj lexuesin me prapësitë dhe mendësitë, e një sistemi të diskutueshëm nga mënyra se si po përdorej ndaj popullit. Dua të mbetem tek pesha e madhe, e gjykimit të madh, e nismave të mëdha, e përpjekjeve të mëdha, e mundimeve të mëdha të burrit të madh Iljaz Reka. Është me vend të kujtoj, pohimin e kirurges së parë shqiptare Rushen Golemit :” Jeta e Iljazit përmblidhet në tri fjalë: Punë, ndershmëri, miqësi”.

Ismet Bellova:” Shkuam me Iljaz Rekën për ngushëllim, në shtëpinë e kuadrit të rrallë për fizkulturën në Durrës Milorad Jeremiqit. I kishte vdekur nëna. Kushte skandaloze jetese. Iu luta Iljazit ta ndihmonte për shtëpi. Disa ditë më pas, më lajmërojnë se të kërkon Iljaz Reka. Mbajta frymën tek zyra e tij. Pasi folëm për futbollin, notin dhe basketbollin që i kishte më për zemër, u ngrit në këmbë, shkoi tek tryeza e punës, hapi sirtarin, nxorri prej andej një letër dhe ma drejtoi mua: “Ky është autorizimi për shtëpi për Miloradin, që duhej t’ia kishim dhënë me kohë. Po ta jap ty, që t’ia dorëzosh Miles sepse ishte nisma jote. Të falenderoj që insistove” . Milja kur a dorëzova autorizimin, filloj të qaj me të madhe nga gëzimi. Miloradi nuk e harroi nderin. Deri në fund të jetës, i buronin falenderimet dhe mirënjohja për Iljaz Rekën”.

Iljaz Reka nuk dëshironte t’ia kujtonin nderet. Zbatonte me besnikëri urtësinë e popullit : “ Kur i bën një nder dikujt, shkruaje në rërë që ta marrë deti, e nëse dikush ju bën nder, gdhëndeni në gur që të mos e harroni kurrë”. Të vriste me “pambuk” kur ashpërsohej. Nuk devijoj nga moto :” Vlerësimi profesional, sipas meritave i njerëzve dhe jo vija”

“Ia di për nder Iljaz Rekës, pohon intelektuali i njohur Tasim Besho. Zbuti internimin e familjes time dhe nuk më la pa e ushtruar profesionin”. Në një rast kur u ndodh në Delvinë, nëna 75 vjeçare i një kolegu të punës nuk ndjehej mirë nga mushkëritë. Iljaz Reka e vendos në makinën e tij dhe çoi në senatorium. Foli me doktor Ndroqin dhe ajo u shërua pas 4 muajve.

Teksa ndiqte një ndeshje futbolli ku luante “Lokomotiva”, dëmtohet rëndë një futbollist. Iljaz Reka zbret nga tribuna dhe interesohet për shëndetin e lojtarit. Porosit kirurgun e njohur Paskal Prodani, që ta ketë kujdes. Doktorin e famshëm në Durrës Miti Vokopolën, disa të rinj e kritikuan për vendosjen e patkoit në derën e shtëpisë. Iljazi u tha të rinjve, ta zgjidhnin shqetësimin me durim, pasi Vokopola ishte mjek i aftë dhe njeri shumë i mirë.

Dritëro Agolli:”….në bisedë për Adem Rekën, ai nuk fliste me fjalë të fryra dhe të politizuara si “partia e rriti dhe e edukoi, siç e kishin zakon shumë zyrtarë të asaj kohe. Fliste si njeri dhe jo si radio. Me kokën e kthyer nga dritarja psherëtiu. “ E mjera Ismete mbeti me katër fëmijë jetimë! Iljaz Reka ishte drejtues i vërtetë, i ndryshëm dhe serioz, i shqetësuar dhe i dhëmbshur për të tjerët qofshin këta farefis, qofshin qytetarë të thjeshtë e të panjohur. Së bashku me Viktor Gjikën, do të qendronim një muaj në bigën ku ra Adem Reka për të bërë film për të. Kur papritur vjen Iljaz Reka dhe na tha:”Ju nuk do të mbylleni në bigë, si në manastir. Dhe na ftoi në shtëpinë e tij.”

Më emocionon një përshkrim i intelektualit të njohur Mentor Përmeti:

-Iljaz Reka, me trupin e tij të drejtë prej gjimnasti, me pamje të hijshme, shoqëruar me një ecje të lehtë, thuajse nuk e prekte tokën, të gjëndej pranë me përshëndetjen e këndëshme, shoqëruar me buzëqeshjen e zakonëshme, duke të shtrënguar dorën miqësisht. Sytë e qetë dhe të shndritshëm, të vështronin ëmbël e të ftonin për bisedë pune ose bisedë shoqërore, duke e çuar fjalën më në fund për ngarkim detyrash, pa theksin se jepeshin nga një epror dinjitoz.”

Angazhimi i jashtëzakonshëm në punë i Iljaz Rekës, lehtësohej shumë nga bashkëshortja Krisavgjia dhe nëna e saj Pandora. Familja e Iljazit përbëhej edhe nga djali Fatosi dhe vajza Linda. Krisavgjia ishte edhe kjo e njohur në Durrës jo vetëm si gruaja e Iljazit, por edhe si mjeke pediatre. Por kujdesi për Iljazin, e mbulon me respekt dhe krenari këtë zonjë të bukur në pamje, por më shumë të bukur edhe në shpirt. Veshja dhe prezantimi i hijshëm i Iljaz Rekës në publik, është “vepër” e saj, por edhe Pandorës aq të respektuar dhe përkushtuese ndaj familjes Reka. Fëmijët u rritën me dashurinë për Durrësin, për njerëzit e tij, duke qenë e mbetur model në shkollë dhe shoqëri.

Nga 25 shtatori 1973, e deri me 26 dhjetor 1975, Iljaz Reka ushtronte edhe detyrën e Kryetarit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, duke qenë deputët i saj për 26 vite (1949-1975). Transferimi si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Lushnjes, nuk është se nuk pati efekte psikologjike tek Iljaz Reka, ndonëse e trajtoi si një sfidë të rradhës, në morinë e detyrave që kishte kryer. Edhe këtu i njëjti format pune si në Durrës. Përshëndetej me të shtëpisë në mëngjes, për t’u parë vonë në mbrëmje. Lushnjarët ashtu si edhe durrsakët, linin kokën për Iljaz Rekën.

-Iljazi punoi 9 muaj në Lushnje, kujton Themie Thomai. Për aq kohë sa ishte, nuk la pëllëmbë të rrethit pa shkelur në këmbë, duke patur merita të mëdha që rrethi i Lushnjes të rradhitej ndër më të përparuarat në Shqipëri. Ai gjeti kohë që me 31 tetor, të më uronte për ditëlindjen së bashku me Krisavgjinë, gjë që nuk e kishte bërë asnjë para tij.

Fiziku i Iljaz Rekës kishte filluar të drobitej. Diabeti, stërmundimet, lodhja, cigarja “Diamant” që nuk iu nda nga dora, orari i punëve të tejzgjatur, qëndrimi më shumë në këmbë se sa ulur, ishin disa nga shkaqet. Për të shtuar të tjera, si meraku dhe shqetësimi për t’iu ndodhur në çdo rast pranë njerëzve, ngarkesat jo të lehta psikologjike që kalonte. Ai nuhaste gjithçka rrotullohej rreth tij, veçanërisht transferimi i papritur për në Lushnje, ndonëse iu përgjigj si çdo emërim tjetër të mëparshëm.

Në mbledhjen e Byrosë së Partisë të Rrethit të Lushnjes, ndjeu shqetësim në gjoks. Kërkoi ndihmën e një mjeku kardiolog. Ishte i miri Frano Shkjezi. Iljaz Reka u konsultua me të, të shkonte të paktën deri në shtëpi. Dhe eci jo pak me këmbë. Këto ishin minutat e fundit të jetës. Një infarkt masiv ia ndali zemrën, burrit të madh të Durrësit Iljaz Rekës.

Vërtet po ikte, por pasi kishte lënë gjurmë të forta dhe kujtime të paharrueshme. Kujtime të kristalta si ujët e detit, afër të cilit jetoi dhe të gjelbërta, si toka që ai e deshi aq fort dhe që ajo po e merrte në gjirin e saj.

Kujtimet e njerëzve për Iljaz Rekën, vdekja nuk ka fuqi t’i marrë. Jemi të përkohshëm në këtë tokë, por nëse jemi njerëz të vërtetë lëmë të përjetshëm emrin. Varrimi i tij mbetet madhështor. Kortezhi i përmortshëm nisi që në Lushnje, për të kaluar në Rrogozhinë, Kavajë deri në Durrësin e tij, aq të shtrenjtë, aq të dashur, bërë pjesë në ADN e gjakut të tij. Populli mbarë ishte vendosur anës rrugës, përkulej para arkivolit të këtij njeriu të rrallë, që asnjëherë nuk i la në baltë. Është 27 dhjetor 1975.

Iljaz Reka që nga kjo ditë, është strehuar pa kohë në zemrën e durrsakëve. Në Durrës është bërë “Qytetar Nderi”. Një rrugë mban emrin “Iljaz Reka”. Skulptori i njohur durrësak Nelo Lukaçi, e ka përjetësuar në bust të gdhëndur në gurë, këtë figurë popullore.

Poeti Bardhyl Agasi, thur vargjet:

Jeta rrjedh si pa kuptuar,

Një palë ikin, të tjerë vijnë.

Të paktën mbeten të paharruar,

Veprën e tyre lënë kujtim.

Më fal, vëlla, emrin tënd,

Po e dëgjoj në Durrësin tonë.

Miq të dashur, gjithë në këmbë,

Iljaz Reka, mes nesh gjallë.

Këto janë shumë pak, për atë që durrsakët ndjejnë për të, për të mbetur përjetësisht pjesë e tyre. Takohet njëkohësisht me ato, që janë në parajsën e tyre të paqme, por edhe me ne të gjallët.

Iljaz Reka me atë që ishte, me atë që bëri dhe me atë që mbetet, është pa as më të voglin hezitim, pa as më të voglën mëdyshje, BURRI I MADH I DURRËSIT.