Nga BUJAR QESJA

Në kufirin ndarës të mbarimit të 13 majit dhe fillimit të ditës së 14 majit 2023, mbyll sytë përgjithnjë, “gladiatori” ynë i jashtëzakonshëm, nga boksjerët më të mëdhenj tonët Mustafa Allushi. Durrsakët e qetë dhe të butë, durrsakët e tërhequr nga e keqja duke u prirur nga e urta, kishin luftëtarët e tyre të ringut. Duke analizuar Fak Allushin, kemi brenda temperamentin tonë, inatin pozitiv sportiv. Fluturonim në krahët e njëri tjetrit, kur gjyqtari i ringut, ngrinte dorën e Fagut lart si fitues i padiskutueshëm.

Durrësi ishte në festë dhe Fagu kthehej në kushtrim shpirtëror. Çfarë ishte futbolli para ndeshjeve të Fagut tonë, që është kthyer në legjendë, në mit? Me Fagun sulmonim “kundërshtarët” dhe me grushtin e Fagut mbroheshim nga “kundërshtarët”. Brenda grushtit të Fagut ishin mbledhur të gjithë durrsakët dhe gëzoheshin, krenoheshin, lartësoheshin shpirtërisht. Por Fagu më shumë.

Ora 01.25 minuta e kësaj dite të tanishme, 14 maj 2023. Lexoj në inbox këtë shënim:

-Fagu na la. Si miku i tij, si miku i jonë, si miku i durrsakëve, po të njoftojmë më së pari ty. Lamtumirën e fundit ia japim në orën 16.00. Dhurata.

Dhurata është vajza e madhe e Fagut. E martuar në Gjermani dhe është banesa e saj prej 30 vitesh. Djali Musai, jeton në Novara-Itali dhe Fagu këtu e kishte strehimin. Fatmira e dyta vajzë, e vetme që nuk lëvizi nga Atdheu. Por Fagu nuk u nda nga Durrësi i tij. E shikoja hera herës edhe se po i humbiste dita ditës energjitë dhe forcën, të vinte në ëmbëlsirën e tij të jetës, Durrësin dhe tek oksigjeni gjithnjë i pastër që mbetën për të: durrsakët.

Foton e fundit me Mustafa Allushin, e bëra në gusht të vitit 2018. I fortë. Kur ia dhashë dorën, sa nuk ma coptoi. Fuqia e Anteut. I shkëlqenin sytë dhe nuk u ishte zbehur shikimi, që nga vitet e arta të boksimit. Fiziku i tij më dukej si mal që mbulonte diellin dhe hapsira e gjoksit sa një fushë e gjërë, pambarim. Sa e donte Durrësin! Sa i donte bashkëqytetarët e tij! Në një rast kujtonte, se kur po shkontë buzëmbrëmje në shtëpi, i veshur me kostumin e dasmës, dëgjon që dikush thërriste: ndihmë!

Fagu nuk mund të rrinte indiferent dhe ndjek drejtimin e zërit. Vështron që 12 veta po rrihnin keqas një njeri. E si mund të rrinte i qetë Allushi? Tenton t’i ndaj dhe veçse kur goditet. Eh ç’taksirat e paskëm pas të merrem me to! Kështu i dha forcë vetes dhe vepron. Sa hap e mbyll sytë, të 12 vetat ishin palosur para këmbëve të tij.

-Ik në punën tënde! i tha fatkeqit. Ndërsa ju të tjerët, pas disa minutash do të ngriheni dhe do të mallkoni veten më e “kruajtët”. Këmisha dhe kostumi i dasmës ishin bërë për t’u hedhur. E përmënda këtë episod, për të treguar se Mustafa Allushi nuk ishte vetëm gjigandi dhe forca e ringut, por edhe njeriu i mirë dhe i gjindshëm i njerëzve, që ia kërkonin ndihmën dhe ndodheshin në vështirësi.

Fagu është lindur në Durrës, me 1 maj të vitit 1935. Për koiçidencë ndal frymëmarrjen po në majin maj, por me 13. Jetoi 88 vite. Largimi nga jeta e gruas së shtrenjtë Esmasë para një viti, e goditi rëndë. Megjithë kujdesin e fëmijve, ai nuk e mbajti këtë hall që i ra. U largua nga Novara në fund të muajit prill, për të festuar ditën e lindjes me 1 maj në Durrës. Ajri i Durrësit, përshëndetjet e durrsakëve, ku kishte miqtë dhe shokët më besnikë i bënte mirë, i jepte forcë, i jepte jetë.

Fatmira, vajza e Durrësit ishte me të. Këmbët me vështirësi i ndjente. Kolosi ynë po shkonte drejt fundit të asaj jete, që e jetoi me djersë dhe ndershmëri. Punoi në Bigën “Adem Reka”, mekanik i zoti, por mbi gjithçka në vënd të grushtit në ring, kishte një zemër të madhe, fisnike, të gjërë për të mbajtur brenda tërë Durrësin dhe të gjithë durrsakët. E thonte disa herë dhe e kishte lënë si amanet:

-Këtu ku linda, këtu dua ta mbyll jetën! Le të tretem në tokën e Durrësit të dashur dhe eshtrat e mia, t’u tregojnë durrsakëve se isha dhe mbeta i tyre përjetësisht.

Këto rradhë për të, po i shkruaj me dhimbje, sepse e njihja në çdo qelizë. E dija fort mirë se Durrësi ishte adn-ja e tij, gjaku i tij, qenia e tij. Prandaj edhe ishte kampion, se brenda atij grushti të fuqishëm, fatal për rivalët, kishte goditur nga pak çdo durrsak. Jam në momente dëshpërimi. Kur e shikoja Fagun tek ecte, ashtu lehtë e ngadalë, kthehesha pas në kohë, teksa më kujtohet ndeshja e shekullit, ajo më historikja, ajo më e paharrueshmja me Todi Jankun. Ishte 22 shtator i vitit 1963. Fagu ynë 28 vjeç dhe i tmerrshmi i ringut Todi Janku 33 vjeç.

Ishte një shpagim për të vëllanë Nexhin, që Todi ia kishte “masakruar në ring dhe ia kishte hedhur para syve Fagut, duke i thënë:”Merre”! Të kujtonte një skenë që vjen nga mitologjia, kur Akili vret Hektorin dhe ia hedh Priamit poshtë mureve të Trojës. Kjo e detyroi 6 herë kampionin e vendit në 66 kilogram Mustafa Allushin, që të kapë peshën prej 78 kilogramësh të Todi Jankut, e për të goditur brirët në ringun hipnotizues të 22 dhjetorit 1963. Dhe përplasja e atyre brirëve, ende më duket se mbetet e fortë edhe tani. Betejë e vërtetë gladiatorësh. Është transemtuar edhe në Radio Tirana. Për faull teknik, gjyqtari Dhimitër Çakalli ndërpret ndeshjen m’u në sekondat e fundit të raundit të tretë, ku epërsia e Allushit po bëhej e dukshme.

Nuk harrohet ajo ndeshje dhe bashkë me të edhe Fagu ynë. Çfarë karakteri? Çfarë grinte? Çfarë boskimi? Dhe Fagu do të më tregonte për të:

-Unë po e shikoja vëllain, që ishte në pozitë të vështirë. E udhëzoja se si duhet të vepronte. Por Janku po tregohej më shumë se i rreptë. Im vëlla Nexhi, nuk kishte përvojën e duhur dhe nuk mundi ta përballonte egërsinë në ring të Todi Jankut. Veç kësaj, tiranasi i ringut, rrëmbeu peshqirin e Nexhit dhe ma hodhi mbi sipërfaqen e ringut: Merre Fag Allushi vëllain! Fyerje dhe poshtërim më të madh, nuk kam ndjerë ndonjëherë. Dhe në çast i them: Do ta paguash këtë që bëre! Do të dal në peshën tënde dhe nuk ka zot të më mundë! Bëhu gati Tod Janku, se këtë që bëre, nuk ta fal!”

Kam shkruajtur shumë për Fag Allushin. Shkurtimi i fjalës Mustafa, i bie të thërritet Faku. Por durrsakët qëllimisht e kishin forcuar shkrutimin me Fagu, pasi ishte nxitës në ring dhe fuqia e thirrjes, mbështetej tek g-ja e famshme e inkurajimit.

Kam folur e shkruar, për biografinë e këtij grushtuesi të pashembullt të ringut. Kam thënë, se e nisi boksin me trajnerin e parë Ilmi Reka, për t’iu dorëzuar në grupin e “Partizanit” të madhit Ali Kastrati. Boksoi në peshën 66 kilogam, ku mbeti kampion absolut. Rezultate mahintëse kapi edhe në lojrat e Lajpcigut të vtit 1958. Kam thënë edhe këtë tjetrën, se mbante një libër shënimesh me emrin “Trokitje në Kujtesë”. E pra Fagu ynë edhe shkruante. Kujtimet pas kësaj, do të na e mbajnë të gjallë kampionin tonë.

Duke iu referuar shënimeve të tij “Trokitje në Kujtesë” shkruaj. Janë 15 emra, që me sa kuptohet, mbeten nismëtarë të boksit në Durrës dhe duhet të kenë boksuar, në fundin e viteve 40-të dhe në fillim të viteve 50-të. Befasia e disa emrave është e madhe. Është fiksuar, emri i “Artistit të Popullit” Nikolin Xhoja. Surprizë kjo dhe çudi më vete. Veç Nikolinit, me skenën dhe artin janë të lidhur edhe emrat e Sotir Afezollit, Enver Likmetës dhe Sul Kokomanit. Dhe 15 të parët, në drejtimin e mitikut Ilmi Reka janë: Vlash Curri, Emrush Arapi, Latif Sela, Nikolin Xhoja, Nexhmi Kosova, Enver Likmeta, Pandi Dimo, Zydi Matrapazi, Shaban Mema, Rrap Teku, Arif Bibi, Eqerem Zalla, Islam Mezi, Henrik Manolli, Sotir Afezolli.

Për efekt historik dhe meqenëse jemi në një temë sentimenti, duke iu referuar ditarit dhe kujtesës së Fag Allushit, detyrohemi të rradhisim disa emra që ia vlen, si pjesë e artë e boksit të fortë dhe traditor durrsak. Ata janë: Mustafa Allushi, Ymer Reçi, Hysen Sharra, Hajri Pelingu, Martin Çeta, Abaz Zalla, Selim Bardheti, Sulejman Kokomani, Skënder Sadushi, Hekuran Shkaba, Besnik Reçi, Eqerem Kosova, Shaban Bashhysa, Nexhmi Allushi, Ramiz Reka, Rexhep Bagoi, Syri Basha, Bekim Berberi, Ahmet Bajrami, Met Doçi, Mustafa Idrizi, Shpresim Dauti, Metan Veizi, Beqir Kerri, Shahin Pagria, Dilaver Hasimi, Rexhep Kavaja, Tasim Zamani, Beqir Buthi, Fejzi Alizoti, Mirush Jareci, Vlash Fishku, Shaban Coli, Qemal Cerriku, Murat Reka, Sul Reka, Osman Stojku, Latif Thërmia, Nuredin Oketa, Sulejamn Sula, Hilmi Kapllani, Dodë Zefi, Vasil Stanishi, Burhan Truma etj. Faleminderit Fag Allushi! Ky është një nder, që i bën boksit durrsak.

14 maj 2023! Lamtumira e fundit i një kampioni të madh, i një njeriu me zemër sa katër dritare. Esmaja jote e dashur po të pret. Ishte ruajtur një vend për ty, që të mos ndaheshe prej saj përjetësisht. E paqta parajsë, e merituar për ty Mustafa Allushi. Prehu i qetë aty ku dëshiroje, në tokën e dashur dhe të shtrenjtë të Durrësit!

Do të kalojnë kohë, e kalimtarët që do të ofrohen pranë varrit tënd, do të thonë:

-Këtu prehet një kampion i madh!