BUJAR QESJA

“E vijka deti tallaz tallaz”, do të kujtohet gjithnjë në interpretimin e Shazije Dollakut. Por humbet edhe shenja e fundit e kësaj kënge popullore aq të njohur: zëri i dytë dhe shoqëruesi me kitare Zon Dollaku. Në këtë të shtunë të 28 majit 2022, është përcjellë për në banesën e fundit, një emër i njohur i këngës dhe i instrumentit.

Shumë popullor në raportet muzikore me qytetin e tij të lindjes, Durrësin, ky Zon Dollaku. Me një fytyrë që ngjasonte me bukurinë e zërit të tij, me një zemër të madhe muzikore sa vetë kitara e tij, por me një pozicion shoqëror shumë të veçantë me durrsakët, Zon Dollaku ka firmosur mbi kujtesën popullore.

Instrumentist kryesor në lëvizjen amatore në Durrës, i aktivizuar veçanërisht në grupin e njohur të pallatit “Rinia” dhe në atë të fabrikës së duhan cigareve “Telat Noga”, i ka dhënë shumë artit amator durrsak. Me kitaren e tij, nuk ka lënë vënd pa kënduar, në skena të mirfillta, por edhe në ato të improvizuara. Së bashku me bashkëshorten Shazije Dollakun, përbëjnë atë dyshe unikale të një familje këngëtarësh, ku burrë e grua nuk i’u ndanë këngës dhe muzikës.

Zon Dollaku do të kujtohet gjithnjë për shpirtin e gjërë dhe fisnik, për dashurinë e jashtëzakonshme që kishte krijuar me bashkëqytetarët e tij durrsakë, për të cilët linte “kokën”. Kitara e zbukuronte edhe më shumë dhe nuk pushonte së kënduari dhe së luajturi me këtë instrument të jetës.

Pas largimit nga jeta, të interpretueses më të zëshme të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme Shazije Dollaku, një tjetër goditje e rëndë për këtë familje të njohur në Durrës. Zon Dollaku ndali frymëmarrjen, por zor se do të harrojmë zërin dhe alegrinë e tij, zërin e sinqertë dhe të pastër si vetë zemra e tij. Nuk do ta shikojmë midis shokësh dhe miqsh, teksa ishte shumë aktiv për të përshëndetur të madh e të vogël, me atë durrsakëshen e tij, aq komunikuese që kullonte dashuri dhe sinqeritet.

Alban Dollaku, mbetet pasuesi më aktiv i çiftit të njohur Zon dhe Shazije Dollaku. Instrumentist si i jati dhe këngëtar me botë si e ëma. Rruga e tij artistike është e hapur. Për të punuan tërë kohën prindërit e tij të paharruar.
Këtë të shtunë të 22 majit 2022, iu dha lamtumira e fundit, një njeriu të respektuar dhe një artisti që i dha Durrësit më të mirën e tij. Çifti Zon dhe Shazije Dollaku meritojnë të kujtohen gjithnjë, pasi me plot muzikalitet dhe mbresa kaloi jeta e tyre.

Një artist më pak, por një kujtim më shumë. I paharruar për ne babaxhani i muzikës dhe i shoqërisë Zon Dollaku! Rehatou në parajsën tënde mik i çmuar!

Durrës: 28 maj 2022