Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur sot në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bazuar në informacionet e para, predha dyshohet se ka ardhur nga drejtimi i fshatit Tusnica i Serbisë.

“Një predhë e fishekut të armës së zjarrit ka goditur një kontenjer i cili shërben për zyrtarët kufitarë në pikën kufitare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përderisa hetimet lidhur me rastin kanë filluar.

“Puna dhe qarkullimi në këtë pikë kalim kufitar të përbashkët e cila gjindet në territorin e Serbisë, sipas marrëveshjes për menagjim të integruar të kufirit po vazhdon pa problem”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë se kjo pikë kufitare së bashku me atë në Bërnjak kishin qëndruar të bllokuara për 13 ditë deri sa Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje mbi zgjidhjen më 30 shtator në Bruksel.

Më 20 shtator, serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, kështu që kalimet në pikat kufitare ishin të mundshme vetëm në këmbësorët.

Pakënaqësia kishte të bënte me vendosjen e reciprocitetit që i kërkonte veturave me regjistrim të Serbisë të largonin targat me të hyrë në Kosovë./REL