Nga Bujar QESJA
Lajmi vjen i papritur dhe shumë i dhimbshëm. Veçanërisht kur njoftimi është jashtë Atdheut, jashtë Durrësit, në tokë dhe dheun e huaj. Ardian Gurra, ishte i pari që më njoftoj, me shumë piëllim.
-Bardh Kalaja na la!
Dhe telefoni ulet, duke më shtuar më shumë hidhërimin, për largimin nga jeta të një miku të çmuar, të një durrsaku të jashtëzakonshëm, të një qytetari shembull, të një prindi të rrallë, të një gjyshi të dhëmbshur, të një futbollisti që e përfaqësoi Durrësin me sa mundi.
Është ditë e rëndë jo vetëm për ne miqtë dhe shokët e tij, por edhe për mbarë opinionin qytetar dhe sportiv të Durrësit dhe jo vetëm.
Bardhyli, por që në popull njihet me emrin Bardhi, lindi në Durrës me 11 dhjetor 1942. Familja Kalaja është prej 6 brezash në Durrës dhe kjo më jep të drejtën ta trajtoj, ashtu siç është dhe siç vjen: durrsak 24 karatësh.
Duhet të kesh njohur Bardhin për të ndjerë dhe për të kuptuar, se çfarë njeriu na ka ikur dhe i është larguar qytetit. Ndonëse i ndodhur në Lecco-Itali prej 15 vitesh, Bardh Kalaja nuk u nda për asnjë çast nga Durrësi dhe durrsakët. Vinte dhe nuk harronte të na takonte. Kishte mall dhe ashtu edhe iku, me sytë në drejtim të qytetit aq të shtrenjtë dhe aq të dashur të lindjes.
Bardh Kalaja! Sa i mirë, sa i thjeshtë, sa hokatarë, sa i mbushur me kujtimet ndaj miqve dhe shokëve të larguar nga jeta dhe të gjallë. I kujtonte dhe i kujtonte vazhdimisht. Vinte tek mua sa herë kishte mundësi dhe më thonte:
-Nuk të harroj mik e bir i mikut. Po pate rast kur të shkruash thuaj se Bardh Kalaja formalisht është në Itali, por zemra dhe shpirti i tij është varur dhe është brenda zemrës dhe shpirtit të çdo durrsaku. Këtu linda, këtu rrita fëmijët dhe këtu lash gjithçka të shtrenjtë.
Dhe ndaheshim me lot në sy, pasi nuk i dihej se kur mund të takoheshim sërish. Bardhi e donte familjen, e donte bashkëshorten aq të respektuar Shpresën, fëmijët, dritën e syrit si dy vajzat Nevjanën dhe Julianën dhe djalin e vetëm Arlindin. Por donte shumë edhe shokët ,për të cilët linte kokën. Ndër më të dashurit mbetën për të Niko Herceku, Rruf Kazazi, Petraq Ikonomi, Petrit Topi etj.
Që i ri luajti futboll me “Lokomotivën” dhe u dallua për shpirt dhe karakter gare. Luajti mbrojtës dhe ishte i pakalueshëm. Futbolli i dha edhe më shumë suport popullor. Ishte energjik dhe linte shpirtin në fushë. Koha kur nisi futbollin, e derisa u largua në vitin 1974, e lidhi me shumë futbollistë, të disa brezave si:
Abdulla Duma, Nysret Shyti, Astrit Zhorda, Mustafa Saraçi, Petraq Ikonomi, Muharrem Kadiu, Zyhdi Daja, Nazmi Maxhuni, Feti Golashi, Safet Berisha, Met Spahiu, Tut Leshteni, Kristaq Ikonomi, Orest Grami ,Filip Disha, Niko Lito, Flamur Qojle, Osman Çoba, Skënder Hyka, Osman Kapidanin, Ali Bardhin etj.
Veçanërisht kulmin e arritit, kur “Lokomotivën” erdhi ta drejtoj specialisti i njohur i futbollit Miço Papadhopulli.
Luajti futboll si titullar, por ishte edhe zanatçi i zoti. Kolektivat punonjëse si ORMN-ja, Peshkimi, Mjetet Detare, do ta kutojnë këtë njeri aq të dashur dhe të veçantë.
Lajmi është i rëndë, sa vetë toka ku do të strehohet përjetësisht. Luajti futboll, punëtor me duar të arta, por edhe kapitull aktiv i qytetit. Pa e tepruar, Durrësit, iu largua një qytetar shumë aktiv, shumë me peshë, pasi jetën dhe veprimtarinë e tij e lidhi vetëm me këtë qytet dhe me njerëzit e tij.
Isha përgatitur për të takuar. Nuk e mendoja, se takimi ynë do të ishte i fundit. Ti ishe shumë energjik dhe kështu do të mbahesh mënd dhe jo vetëm nga unë. Kohë hallesh Bardhi im i shtrenjtë. Kohë dertesh dhe aq më shumë në këtë msoshën tonë. Por lajme të tilla na rëndojnë dhe në rëndojnë si plumba m’u në këtë shpirtin tonë të vrarë, që sa vjen e mbushet me dhimbje, me trishtim, me lot duke krijuar liqenin e tmerrshëm të pikëllimit.
26 shtator 2024! Nga qytetin italian i Lekos (Lecco), vjen njoftimi i humbjes nga jeta dhe i ndarjes nga ne frymëmarrësit Bardhyl Kalaja, apo miku i shtrenjtë Bardh Kalaja. Ard Gurra e dha njoftimin dhe u tret në lot. Por hajde mbaj dhimbjen time, aq më shumë kur edhe duhet të shkruaj.
“Qaj moj zemër qaj, qaj e mos pusho”.
I lehtë dheu Bardhi! Lamtumirën po ta japim nga qyteti yt i lindjes. Të jesh i sigurtë, që nuk do të harrohesh nga durrsakët, veçanërisht nga brezi ynë, që të dontë dhe do të duan edhe pas kësaj.
Kujtimi që le, mbetet mburojë e të gjallit tënd!
Bujar Qesja
Durrës: 26 shtator 2024