Lautaro Martinez është flamuri i Interit, ndoshta me zikaltrit për gjithë jetën. “Demi” është simboli i kësaj skuadre, kapiteni, sulmuesi, idhulli i tifozëve dhe vitet e fundit Milani është bërë shtëpia e tij ashtu siç ishte bërë e Javier Zanettit, i cili në fakt ishte i rëndësishëm për ta sjellë Lautaro-n në Itali në vitin 2018.

Toro ka demonstruar një lidhje gjithnjë në rritje me fanellën dhe dëshira e tij, e përsëritur në çdo mënyrë, është të qëndrojë te Interi për një kohë të gjatë, prandaj, Gazzetta dello Sport,  shkruan se projekti i klubit zikaltër do të ishte për të rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2028.

Kontrata aktuale e sulmuesit argjentinas skadon në vitin 2026, kështu që nuk ka nxitim.

Sigurisht që fillimisht klubi do të dëshirojë të diskutojë rinovimet e Mkhitaryan, Dimarco dhe Dumfries, të cilët kanë afate më të afërta, por ekziston edhe dëshira për të mbyllur një marrëveshje me Lautaro-n, i cili pas ndeshjes në fushën e Real Sociedad-it tregoi se tashmë po mendon për të ardhmen: “Rinovimi është një temë që më intereson”.

Më pas janë deklaratat verore të agjentit të argjentinasit, Alejandro Camano, i cili pa e nxituar Interin, i kërkoi në disa raste Lautaros “njohjen që meriton”, që do të thotë përmirësim i pagës. Aktualisht ai fiton 6 milionë euro në sezon plus bonuse.

Tani është ende herët për të folur për shifra, por pas afrimeve të para pozitive me agjentin në muajt në vijim, Interi do të hyjë në detaje rreth negociatave dhe do të flitet edhe për zgjatjen e afatit, i cili duhet të vendoset deri në vitin 2028.

2018-2028, do të ishin dhjetë vjet të Interit, ashtu si kapiteni i fundit i zikaltrve para Toros, Samir Handanovic.