Një fjalim publik i trazoi përditshmërinë dhe e shndërroi papritur në emrin më të trafikuar të medias së shkruar dhe asaj sociale kryetares së FRESSH-it.
Joleza Koka është gjenerata e 25-vjeçarëve, drejton të rinjtë socialistë dhe na tregon se si e përjetoi famën e mirë apo të keqe që mori vetëm për një ditë.
Në këtë rrëfim për gazetën “Panorama” zbulon më shumë nga botëkuptimi dhe karakteri i një politikaneje të re si ajo…
Fjalimi i shumëpërfolur në takimin në selinë e PS-së ishte fillesa e një zhurmnaje mediatike me emrin tënd. Si u ndjeve që shumë persona t’u vunë kundër?
E parë nga distanca mund të thuhet që disa prej tyre i harruan sjelljet e pëlqyeshme. Megjithatë, mendoj që më shumë se m’u vunë mua kundër, thjesht ndoqën një rrjedhë të caktuar, që është kaq tipike për kohët që jetojmë. Mediat sociale i kanë dhënë hov, më shumë se një mendimi kritik, një mendimi histerik.
Nëse marrim parasysh lajmet pasuese me titujt “gafa e radhës e Jolezës” shqetësohesh që nuk po të kuptojnë në vazhdimësi?
Më shumë se sqarim, ishte një klasifikim i grupeve nxitëse të lajmit; disa pa dashje, e disa të tjerë me dashje. Mendoj se ajo çka u duk skandaloze, është e vërteta (qesh). Pra në thelb, ajo çfarë thashë ishte që jetojmë në një vend, ku në pak orë mund të shohësh njerëzit më të pushtetshëm të vendit në ambiente sociale. E gjithë kjo trysni, sidomos te të rinjtë, është pa sens, duke parë që me pak bonsens do të zgjidheshin shumë nga problemet, që i dramatizojmë. Duke thënë këtë, mendoj që në rastin tim nuk është problem moskuptimi, por trauma e të thënit një gjë banale dhe shumë të kuptueshme.
Në darkë me Klosin, në mëngjes në pallatin e Tahirit, ndërsa një ditë në TK ktheve kokën dhe pe Erion Veliajn është kthyer si trend në rrjetet sociale. Mendon se në këtë aspekt mund të quhet edhe fjalim i suksesshëm për përhapjen e madhe?
Nuk është fjalim, është konstatim, të cilin e shpjegova më sipër. Nga ana tjetër, kjo nuk më mërzit, madje mendoj që është pjesa më e bukur e rrjeteve sociale. Ironia që u bë pas aktit le të themi, ishte interesante dhe unë kam qeshur shumë edhe me videon. Pikërisht sepse këta janë ata për të cilët kam folur, moshatarët e mi. Ata e kanë kuptuar (hiq ata që në cilëndo moshë janë njësoj të vjetër). Revolta vjen nga ata që e kanë kuptuar e nuk duan që e vërteta të jetë ashtu. Pra në thelb s’ka asgjë të jashtëzakonshme as në fjalën time, as në atë që po ndodh, e as në reagimet.
Shumë ia vunë fajin “hangover”-it. Çfarë përgjigje do t’u jepje atyre që të kanë akuzuar për mbajtjen e fjalimeve në gjendje të dehur?
Eh këtë e meritoja, sepse unë jo vetëm që nuk pi alkool apo kafe, por jam dhe një propogandiste e madhe kundër tyre, dhe kjo është Karma përfundimisht. (qesh)
Si ndikoi e gjithë historia në fjalë në punën si drejtuese e të rinjve socialistë. A është kjo gjenerata që të kupton dhe është me ty në idetë që ti transmeton?
Shikoni, kjo ka qenë një fushatë artificiale, dhe nuk ka ndikuar për keq në forum. Mendoj që ne duhet akoma të ndërtojmë një ligjërim politik, duhet të flasim më shumë për politikë e më pak për njerëz që merren me politikë.
Në atë segment fjalimi përmendja e reperit Getoar Selimi dhe fraza “ja bëfsha gjeneratën!”, ua vranë veshin shumë personave. Një politikane deri ku duhet të guxojë me fjalorin?
Drejtuesit e forumeve rinore përfaqësojnë komunitete të caktuara, i përfaqësojnë brenda partisë, apo në organizatat ndërkombëtare. Ky nuk është argëtim politik, nuk është aspak argëtim në fakt, është politikë reale. Media u sul direkt, u shtua trafiku nëpër faqe, klikimet, ishte gallatë, interesante. Gjëja që është e bezdisshme është jo te përdorimi i fjalorit vulgar, por instikti demagog për të gjetur zërin më të inatosur në turmë dhe për ta amplifikuar atë.
E pas gjithë kësaj buje, pyetjes nëse do të jesh sërish apo jo në postin e kryetares së FRESSH-it si mund t’i përgjigjesh?
Kësaj pyetjeje i është përgjigjur kryetari i Partisë Socialiste. Unë do të jem kryetare deri në organizimin e Kongresit, për këtë detyrë dhe kam ardhur në krye të FRESSH-it. Për kandidimin tim në Kongres nuk kam menduar e nuk kam një përgjigje përfundimtare, se varet dhe nga diskutimet në Parti. Sidoqoftë, unë mendoj se te të rinjtë mandati duhet të jetë i kufizuar në mënyrë që të ketë një riciklim të vazhdueshëm, e gjithashtu mendoj që një kryetare aktuale nuk duhet të marrë pjesë në garë, sepse niset nga një avantazh në krahasim me sfiduesit. Kështu që detyra kryesore e imja është shëndoshja e forumit dhe organizimi i një kongresi model.
Çfarë komunikimi ke aktualisht me Edi Ramën, Erion Veliajn, këshillat që merr prej tyre?
Komunikimin që ka një kryetare e Forumit Rinor me sekretarin e Rinisë dhe kryetarin e Partisë. I raportoj në mënyrë periodike për anëtarësimet e reja, aprovojnë kalendarin dhe përcaktojnë vizionin e Forumit.
Ndalojmë te statusi yt i fundit në Facebook: “Ja një ide njerëzore, që do rriste eficiencën në punë, do respektonte ciklin biologjik dhe kreativitetin e stafit. E s’do dëgjonim më fjali si ‘mos i fol sot asaj se është më ato’…. Si i prite komentet dhe nëse do të ishe në post drejtues, do vendosje pushim për femrat për ditë delikate?
Jam kundër çdo lloj forme stigmatizimi apo stereotipizimi. Nëse do të ishte në dorën time, patjetër do t’u lija hapësirë që të vendosnin vetë nëse ishin të përqendruara mjaftueshëm për të qenë kreative ose nëse duhej pushim për të rrimarë forcat, ashtu si do doja që kjo mundësi zgjedhjeje pa penalizim të më jepej edhe mua. Të njëjtën tolerancë do të kisha edhe ndaj punonjësve burra e djem, vendosja e orareve tërësisht jo fleksibël e kthen vendin e punës në një detyrim të mërzitshëm dhe joproduktiv.
Pamja të ka ndihmuar në politikë, cilat janë ambiciet që ke në karrierën politike pasi sapo ke kaluar të 25-at?
Presidenti amerikan më i keq i të gjitha kohërave ishte dhe më i paraqitshmi. E suksesshme ka qenë edhe një fytyrë si e Sali Berishës. Aparenca në politikë patjetër është e rëndësishme, nuk ke kurrë një mundësi të dytë për të lënë përshtypjen e parë. Por është edhe e pamjaftueshme, shpesh edhe shumë problematike. Ka plot raste vajzash vërtet shumë të bukura që nuk u është dhënë mundësia ta plotësojnë imazhin me përmbajtje. Më shumë se pamja ime normale, besoj se më ka ndihmuar deri tani gatishmëria për të marrë gjëra përsipër. Më pëlqen shumë puna që bëj, dhe patjetër do të doja të kisha një shtim gradual të detyrave e përgjegjësive.
Nga çfarë familjeje vjen, dhe si i kanë pritur ata komentet që bëhen me emrin tënd?
Familja ime ka një dashuri shumë të madhe për mua, siç kam edhe unë për ta. Jemi shumë të afërt dhe në komunikim të vazhdueshëm me njëri- tjetrin, sa nuk kemi pasur kurrë nevojën për konfirmim nga të tjerët.
Cila është e ngjashmja apo rivalja jote në Forumin Rinor të PD-së. A ke ndonjë mikeshë në krahun e djathtë politik?
Unë jam anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, dhe aty kam përballë nga opozita njerëz të çuditshëm si Fabiani, por dhe racional si Reila dhe Argyrina. Po, kam shumë miq që janë me PD, por shumica nuk kanë votuar në zgjedhjet e fundit.
Dimë që merr kurse pianoje, pikturon që fëmijë dhe dëshiron të mësosh frëngjisht. Pra je shumë pranë profilit të artistit, ashtu si dhe Kryeministri?
Ashtu si mbase miliona njerëz që kanë këto si hobi, që janë më të zakonshmet në botë. Kështu që ambicia ime arrin deri te të qenit një njeri me pasione, që duhet të jetë gjendja e natyrshme e qenies njerëzore. Pikturën e kam hobi. Dikur shpenzoja më shumë kohë duke pikturuar, por në shtëpi është pak më e vështirë se bojërat e vajit mbajnë erë dhe, ose do të rrish e përqendruar për disa orë, ose nuk merresh fare.
Tërheqjen e vëmendjes që të bëri media duke u bazuar në atë që ju kishit thënë, se Franca është vendi fqinj i Shqipërisë, lidhet me njohuritë e tua?
Synimi im ishte që të vija në dukje që ne jemi pjesë e Europës, e nuk duhet të ndihemi inferiorë, pasi për vende të largëta të botës ne renditemi pranë vendeve të tjera europiane, pa barrierat që ekzistojnë vetëm në mendjen tonë. Parisi është simbol i Europës dhe ndaj zgjodha Francën.
Ke pohuar se flet 5 gjuhë të huaja. Si dhe kur i ke përvetësuar?
Im atë më ka mësuar të lexoj shqip pa mbushur 5 vjeçe, pasi gjatë kohës që jetonim në Greqi, nuk donte në asnjë mënyrë të harronim Shqipërinë. Madje vëllai im quhet Alban. Jetesa e familjeve shqiptare në përgjithësi është e shënuar nga emigracioni dhe në këtë rast e jona nuk përbën përjashtim. Gjatë gjimnazit kam studiuar në Kolegjin Turk, ku mësimi bëhej në anglisht dhe gjuhë të huaj bënim 16 orë në javë turqisht. Në vitin e tretë dhe të katërt kishim dhe gjermanisht, por nuk e di, pse nuk më tërhoqi dot kurrë. Italisht s’e di kur kam mësuar, por libri i fundit që kam lexuar është “L’insostenibile leggerezza dell’essere” dhe besoj s’ka qenë kohë e humbur. Di edhe spanjisht.
Duke u nisur nga fakti që studimet e larta i ke përfunduar për Arkitekturë, çfarë ndryshimesh kërkon për Tiranën?
Është momenti që ta kapërcejmë diskutimin e qytetit të rrethuar nga nevoja bazë për rrjete kanalizimesh apo higjienë. Duhet të flasim për cilësi: parqe, hapësira publike, terrene sportive, zona historike të tipologjive të ndryshme, qendra rinore etj.
Je tip sportiv, sa e lidhur je me palestrën?
Kam filluar palestër me detyrim pasi kam bërë disa muaj fizioterapi për shpinën, sepse një gjë që nuk të thonë kurrë në shkollën e arkitekturës, është që duhet të ngrihesh nga karrigia.
Dashuria çfarë rëndësie ka në jetën e një politikaneje të re me ambicie për karrierë. Ndihesh e plotësuar?
Dashuria besoj është gjëja më e rëndësishme në jetën e çdo njeriu. Dhe duke qenë se është aq e rëndësishme, do të doja ta mbaja të gjithën për vete.
Intervistë marrë nga Klotilda Harka për “Panorama.al"