Ish-deputeti Mark Frroku dhe 7 të arrestuarit e tjerë për sherrin masiv për shkaqe pronësie në Kepin e Rodonit mbërrijnë në Gjykatën e Durrësit.

Gjyqi ndaj 8 të ndaluarve pritet të nisë brenda pak minutash dhe do të kryesohet nga gjyqtarja Entela Shedula.

Gjykata do të vlerësojë mesditën e sotme“Vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve B.K., E. R., O. R., Y. R., P. D., A. L., M. Fr., M. L., B. T. akuzuar për veprat penale te parashikuar nga neni 300,277,302 të Kodit Penal”.

Një natë më parë, reagoi zyrtarisht Provinca Françeskane lidhur me konfliktin e ndodhur tre ditëve më parë në Kepin e Rodonit për pronën.

Kujtojmë se të përfshirë në konflikt ishin përfaqësues të Kishës Françeskane dhe banorëve të zonës, ndërsa u arrestuan 8 persona të përfshirë në konflikt mes tyre edhe ish-deputeti, Mark Frroku.

Përmes një deklarate publike, Provinca Françeskane thotë se ka fituar pronësinë në territorin e Kepit të Rodonit me vendim dhe nuk ka pasur asnjë konflikt me asnjë shtetas.

Sakaq, në deklaratë theksohet se prona në Kepin e Rodonit është pronë e Provincës Françeskane dhe jo e Kishës Katolike në Shqipëri.