Durrës, 16 qershor 2014 – Fatmir Gjergji, ish ushtarak për një periudhë prej 30 vitesh, ka jetuar bashkë me kuadro të tjerë dimrin e egër të viti 1985. Ai shërbente në atë kohë në shkollën e përgatitjes së kuadrove rezervistë në Pukë, ndërkohë që janari i vitit 1985 bllokoi për një kohë të gjatë gjithë zonën e veriut. Si u angazhua ushtria në shpëtimin e popullatës civile dhe cili ishte rreziku që mund të nxirrte jashtë loje operacionin?
Dhjetë ditë borë pa ndërprerje ka rënë në janarin e vitit 1985, nga data 1 deri në 6 dhe më pas, duke pushuar vetëm një ditë, rifilloi edhe tre ditë të tjera deri në datën 11. Ngrirja e borës dhe sasia mjaft e madhe që nuk kishte rënë asnjëherë në këto zona, bëri që ushtria të ishte e para në shpëtimin e jetës së njerëzve, hapjen e rrugëve të bllokuara si dhe pastrimin e çative nga bora që rrezikoheshin të shembeshin nga pesha. Fatmir Gjergji kujton këtë periudhë mjaft të vështirë, ndërkohë që e njëjta situatë u përsërit edhe në nëntor të atij viti. Një ngricë mjaft e madhe nxori jashtë loje linjat telefonike dhe ato të tensionit të lartë. Si vdiqën dhjetëra vetë nga ortekët në veri, rrezik i cili nuk njihej deri në atë kohë nga njerëzit dhe që po fillonte të rrezikonte dhe efektivat e ushtrisë.
Ju keni jetuar në Veri në vitin 1985, vit në të cilin kjo zonë është përfshirë nga një dimër mjaft i egër. Çfarë mbani mend nga ajo periudhë?
Është e vërtetë. Në përgjithësi në ato zona dimri zgjaste 6 muaj dhe banorët e veriut duhet thënë se i dinin kushtet e motit dhe merrnin masa që në verë. Dimri i ‘85 në fakt ka qenë mjaft i ashpër dhe në një farë mënyre popullsia u gjend e papërgatitur për shkak të sasisë së madhe të borës që ra në muajin janar. Unë erdha një ditë para vitit të ri në Durrës për të festuar natën e ndërrimit të viteve me familjen, por në datën 1 Janar 1985 u nisa për në repart, aq leje kisha. Kështu në datë 1 u nisa për në Pukë dhe sapo kaluam me autobus Vaun e Dejës, nisën reshjet e borës. Ishin reshje mjaft të dendura dhe deri në datën 6 janar bora nuk pushoi. Në datën 7 hapi koha, doli dielli, por ngriu e gjithë bora që kishte rënë. Ditën tjetër, në 8 janar, bora filloi përsëri dhe vazhdoi pa pushim edhe katër ditë të tjera deri në 11 janar. Pas kësaj date nuk ra më borë, por në këtë kohë nisën katastrofat për atë zonë.
Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Sasia e borës ishte mjaft e madhe, në qytet ajo e kalonte 1 metër trashësi, në fshatra dhe qafa të ndryshme shkonte 2-3 metra. Qafa e Qerretit, Qafa e Malit dhe të tjera ishin të pakalueshme. Kjo bëri që qytetet e veriut të zihen në befasi. Ne kaluam direkt në ndihmë të popullsisë së qyteteve për përballimin e emergjencës. Nisëm të hapnim rrugët e bllokuara, furnizimin me ushqime dhe ilaçe, si dhe heqjen e borës nga çatitë e shtëpive. Fillimisht vështirësitë nuk i kuptuam, sepse po punonin të gjithë. Por pas datës 11 e pamë rrezikun e madh që kanosej nga ortekët. Këto u bënë mjaft të rrezikshëm dhe në zonën e Iballës një ortek shkaktoi vdekjen e 12 vetëve. Njëri nga viktimat u gjet shumë vonë, vetëm pas 6 muajsh në liqenin e Komanit. Ai ishte kryetari i këshillit të fshatit Mërtur. Emergjenca dhe situata e vështirë zgjati edhe dy javë të tjera, ndërsa forcat e armatosura u angazhuan që të gjitha në këtë zonë.
Ia dolët mbanë që të zhbllokonit rrugët në një kohë të shpejtë?
Neve na u desh një javë që të shkonim deri në Kukës, kurse rruga Qafë Mali-Fierzë, nuk u hap fare, ishte e pamundur për shkak të borës së madhe. Ky aks u hap vetëm kur nisi të fryjë erë e ngrohtë nga jugu dhe kur nisën reshjet e shiut. Kjo ngjarje pati pasoja shumë të rënda në njerëz dhe ekonomi, vdiqën dhjetëra vetë nga ortekët dhe ngrica. Nga ana tjetër edhe ne si strukturë e ushtrisë patëm problemet tona, patëm shumë vështirësi në komunikimin me reparte të veçanta, në ndërlidhje gjithashtu etj. Kjo situatë e vështirë do të përsëritej edhe një herë pas disa muajsh, në nëntor.
Çfarë ndodhi në nëntor?
Në fakt qëlloi që një rrymë mjaft e ftohtë ajri përshkoi një zonë të caktuar në lartësitë nga 700-1300 metër duke ngrirë gjithçka. Mbi 1500 metër nuk pati asnjë pasojë, ishte pak e çuditshme në fakt. Nuk kuptuam asgjë, vetëm kur u ngritëm në mëngjes dhe pamë një bardhësi që kishte mbuluar çdo gjë. Fillimisht dukej si borë, por akulli kishte zbardhur çdo gjë. Linjat telefonike dhe elektrike dolën jashtë përdorimit. Temperaturat mjaft të ulëta ngrinë edhe shtyllat e drurit, të cilat më pas nga një erë e lehtë u thyen të gjitha. Po kështu edhe pyjet, nga ngrica u rrëzuan mijëra pemë. Bëhej fjalë për linjat e tensionit të artë, telat e të cilave nga pesha e madhe e akullit kishin shkaktuar thyerjen dhe rrëzimin edhe të shtyllave metalike. Në këtë kohë u provua se një tel i tensionit të lartë kishte mbledhur një sasi akulli me peshë të përafërt me 25 ton. Për këtë katastrofë natyrore të dytë brenda vitit erdhën nga i gjithë vendi, kurse ne u morëm me zëvendësimin e shtyllave të thyera, lidhjen e kabllove dhe linjave të reja. Kjo punë zgjati afro një muaj dhe kontributi i ushtrisë ka qenë mjaft i çmuar në përballimin e emergjencave civile. Për periudhën që kam punuar në zonën e veriut vlerësoj se vështirësitë na kalitën më tepër për të përballuar jetën. Me mbresa të veçanta mbetem për ambientin e pastër shoqëror dhe marrëdhëniet korrekte që i ruajmë edhe sot pas 25 ose 30 vitesh. Ruaj respekt dhe konsideratë të lartë për të gjithë ushtarakët dhe intelektualët që kanë shërbyer në këto zona si dhe respektin që na ka bërë populli i këtyre zonave.
Pas largimit nga Puka, ku iu qëlloi të shërbenit?
Erdha në Durrës në vitin 1988, më saktë në Manzë ku u emërova shef shtabi i brigadës së Manzës dhe më pas komandant i brigadës së Durrësit deri në vitin 1992. Puna në divizionin e Shijakut përfshin periudhën më të ngarkuar e më të lodhshme, pasi divizioni shtrihej në zonën Mat-Shkumbin dhe përbëhej nga 15 njësi luftimi dhe mbështetje luftarake të vendosura në rreth 98 reparte e objekte, të lënë të kuptosh se ka qenë ngarkesë mjaft e madhe për detyrat e gadishmërisë, stërvitjes dhe përqendrimin në ushtri kazerme. Në këtë kohë filluan reformat në ushtri, nisi ndryshimi i konceptit për ushtrinë tonë, nga ushtri e pikave të hapjes, në ushtri të kazermës. Nga ana tjetër, një punë mjaft e madhe u bë me mbledhjen e armatimit që ishte shpërndarë në mijëra pika në gjithë vendin. Duhej shkurtuar personeli ushtarak dhe duhej përballuar kapaciteti i forcave të armatosura me personelin që mbetej. Në këtë periudhë filloi edhe integrimi dhe lidhja me fqinjët me synim angazhimin dhe futjen e forcave tona të armatosura në NATO. U zhvilluan tre stërvitje mjaft të mira, “Sarex 1”, “Sarex 2” dhe “Shqiponja e Paqes ‘95’”. Këto stërvitje që u bënë me forca të ushtrive të vendeve që ishin anëtare të NATO-s kishin si qëllim kryerjen e veprimeve të përbashkëta në kuadrin e partneritetit për paqe në rajon dhe botë. Në këtë kuadër stërvitja “Shqiponja e Paqes” ishte përgatitje e forcave tona të kompanisë paqeruajtëse që mori pjesë në Bosnje, e cila u zhvillua me amerikanët.
Cili ishte niveli i ushtrisë tonë në atë kohë?
Nga ana profesionale ishin të gjitha mundësitë dhe duhet thënë se forcat tona i janë përgjigjur kërkesave dhe standardeve të ushtrive aleate. Këto që përmendëm më lart ishin stërvitjet model që bëmë, pas viteve ’90 dhe pati një vlerësim mjaft pozitiv për ne që nga ngritja e kampit, fushimit si dhe disiplinës mjaft të mirë, ashtu siç dihet që nga ana logjistike kishim mangësi krahasuar me të tjerët. Niveli ynë përgatitor nuk ishte mbrapa në krahasim me të huajt. E vetmja mangësi ishte se në atë kohë forcat tona duhej të mësonin teknikat e panjohura të armatimit që dispononin ushtritë aleate.
Pas stërvitjes së kompanisë paqeruajtëse ju shkuat në Bosnjë, si e përballoi këtë mision kompania shqiptare?
Ky mision ishte mjaft i rëndësishëm dhe kompania jonë e përballoi atë me sukses. Ishte kontingjenti i shtatë që shkonte në Bosnjë në vitin 2000 dhe unë isha komandat i kësaj kompanie duke qëndruar 6 muaj në Bosnje. Ne ishim partnerë në këtë kohë me vendet e NATO-s dhe vareshim nga komanda gjermane duke kryer veprime dhe detyra të përbashkëta me trupat gjermane. U vendosëm në rajonin Rajolevac dhe kontigjenti ynë kishte 70 vetë, nga të cilët 7 ishin oficerë, ndërsa të tjerët kapterë dhe ushtarë. Detyra dhe misioni ynë ishte i qartë, sigurimi dhe ruajtja e objekteve në bazën e forcave shumëkombëshe që ishte ndërtuar në këtë vend në Bosnje.
Ka pasur incidente me trupat tona në këtë mision?
Nuk ka pasur incidente aty, sepse ishin marrë mjaft mirë rregullat dhe masat paraprake. Ishte mjaft e vështirë që të ndodhnin sulme mbi trupat gjermane, pjesë e të cilëve ishim edhe ne, ndërkohë që ishte dhënë urdhër që në rast se kishte provokime apo të shtëna ndaj trupave gjermane, ato do i përgjigjeshin menjëherë zjarrit. Por mbresat më të veçanta të miat lidhen me infrastrukturën e ndërtuar në Gjermani, e cila ishte në funksion të trupave gjermane për misione të tilla të ngjashme që ndërmerreshin nga NATO dhe OKB. Gjermanët nuk nisnin asnjë ushtar jashtë kufijve të vendit pa e testuar më parë në këto baza. Baza e improvizuar në Gjermani kishte gjithçka të ngjashme me terrenin boshnjak, vendin, klimën, rrugët, pengesat dhe çdo gjë tjetër. Ishte përgatitur më së miri në mënyrë që ushtarët të mos hasnin vështirësi në terren. Imitimi i terrenit boshnjak ishte bërë edhe në maket dhe grupi që studionte ngjarjet në Bosnje kishte përgatitur 315 variante ose situata që mund të ndodhnin dhe si mund të dilej nga to me anë të një veprimi të parapërgatitur.
Në një episod juve ju është dashur të ndërhyni për të shpëtuar ushtarët francize. Si ndodhi?
Një grup ushtarësh francezë kishin mbetur në një ambient të veçuar në bazës në Rajolevac dhe nuk përgjigjeshin prej kohësh. Komanda e bazës u vu në alarm sepse fillimisht u mendua se mos kishim të bënim me ndonjë sulm terrorist. Për të menaxhuar situatën u caktua që të ndërhynin ushtarët tanë, të cilët kishin bërë praktikë mjaft mirë për raste të tilla. Ndërhyrja ishte mjaft serioze dhe gjithçka u përgatit me seriozitet të madh, pavarësisht se ushtarët francezë kishin pirë shumë dhe në gjendje të dehur kishin harruar të ktheheshin në vendet e tyre. Trajnimi gjerman ishte mjaft i rreptë dhe ushtarët tanë u përgatitën mjaft në këtë drejtim, çka bëri që komanda gjermane të vendoste edhe dhënien e lejeve 2-javore të ushtarëve tanë për t’i kaluar pushimet në Shqipëri.
A kishte ushtria jonë efektiva elitë të ngjashme me ato të ushtrive të huaja?
Në tetor të vitit 2000 u krijua brigada e reagimit të shpejtë, një strukturë e re e Forcave të Armatosura që u dekretua po atë vit. Në fillim unë kam qenë shef operacional i saj, menjëherë pas kthimit nga Bosnja dhe kam qenë në këtë strukturë deri në vitin 2005. Ajo është një brigadë që u ndërtua me parametra të plotë perëndimorë dhe që u stërvit dhe kompletua sipas standardeve të NATO-s. Brigada e reagimit të shpejtë ka realizuar disa stërvitje të përbashkëta dhe mendoj se edhe sot mbetet elitë e forcave tokësore. Mbresa të veçanta kemi pasur me këtë brigadë me stërvitjet “Perlati 2001”, “Juba 2005” dhe shumë të tjera, në të cilat kanë qenë të pranishme forcat tona si dhe ushtarakë të ftuar nga Delegacioni Italian i Ekspertëve (DIE).
Cilët nga ish kolegët tuaj do të donit të përmendni në fund të kësaj interviste?
Në një periudhë 30-vjeçare në ushtri qëllon që ndeshesh me intelektualë të shquar dhe njerëz me përvojë. Natyra ime ka qenë që tek secili të marr anën pozitive. Më kanë lënë mbresa mjaft të mira gjatë kësaj kohe metodisti i njohur Hasan Lika, i cili nuk jeton më, një njeri me mjaft përvojë drejtuese e komanduese, mjaft i aftë në drejtimin e kuadrove të rinj. Në të njëjtën linjë janë edhe komandanti korrekt i korpusit Arseni Stroka, njohës mjaft i mirë i stërvitjes së vogël, Llukan Mefshi, Gani Elezi, komisar divizioni dhe ushtarak i aftë, Novruz Zejnati, Mustafa Harizi, Kurt Gjika, Luan Shehu, Kanan Imaj, Petrit Petova, Budjon Arapi, Fadil Nanaj, Qatip Alia, Serjan Halili, Sheme Kosova dhe shumë të tjerë që nuk mund të më kujtohen për momentin. Dua të përmend edhe gjeneralët Adem Çobani e Kostaq Karoli, Gani Hoxhën e metodistin Servet Sheqi. Për vitet e karrierës time ushtarake u jam mirënjohës në mënyrë të veçantë të gjithë kolegëve dhe vartëseve, sepse gjithmonë kanë qenë korrekt e të rregullt në marrëdhëniet tona, prandaj edhe nuk mund të flas për emra të veçantë, sepse secili prej tyre ka pasqyruar vlerat e tij.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





