Stiven Majer, ish-zëvendës shef i CIA-s për Ballkanin, në një intervistë për MIA-n thotë se SHBA-ja dhe Bashkimi Europian janë në fazë të rënies dhe Maqedonia bën mirë që i mbron interesat e saj në procesin e integrimeve.

Majer, i cili ka qenë aktiv në Ballkan gjatë luftërave në vitet e 90-ta, i konfirmon konstatimet se drejtuesit e Maqedonisë në kohën e embargos drejt Serbisë kanë kontrabanduar naftë dhe mallra të tjera dhe personalisht kanë përfituar prej saj.

Për të ardhmen e Ballkanit, vlerëson se kufijtë akoma mund të ndryshohen, por nuk sheh mundësi për krijimin e shteteve të mëdha etnike.

Në periudhën kur ka qenë aktiv si udhëheqës i CIA-s në Ballkan Majer thotë se vëmendja kryesore ishte përqendruar para së gjithash te parandalimi i përhapjes së luftës në Maqedoni. Çështja tjetër në vitin 1999 ishin refugjatët:

“Kjo është një çështje të cilën e kishim me të gjitha shtetet e Ballkanit. Gjithsesi pati përpjekje për presion nga administrata e Klintonit, që të ndërpritet kontrabandimi dhe dërgesa e armëve nga Maqedonia për serbët. Por këtë gjë asnjëherë nuk ia arritëm. Bashkimi Europian dhe SHBA-ja asnjëherë nuk arritën shumë mirë ta kontrollojnë çështjen me kontrabandimin nga Maqedonia. Unë personalisht njoh shumë njerëz nga Serbia të cilët janë pasuruar me kontrabandim. Kishim interaksion të vazhdueshëm me Qeverinë e Maqedonisë për këtë çështje dhe unë kam kaluar një kohë në Maqedoni, në bisedime me zbulimin e këtij vendi. Nga ana e tyre, pjesërisht ekzistonte dëshira që shteti të mbijetonte ekonomikisht, por privatisht do të thonin se kontrabanda është burim i mirë i të ardhurave, për ta personalisht si dhe për vendin”.

Në pyetjen nëse kontrabandimi do të ndërpritet me hyrjen e vendit në Bashkimin Europian Majer thotë se kontrabanda nuk do të ndërpritet me BE-në.

"Mund të marrë dimension tjetër. Edhe bullgarët për këtë gjë kanë shumë probleme me BE-në, pasi korrupsioni dhe kontrabanda tek ata nuk janë ndërprerë. Gjithmonë do të ketë kontrabandë dhe punë të tjera të këqija si tregtia me fëmijë. Ato punë nuk u ndërprenë me hyrjen në BE, shumë para janë në pyetje. Veçanërisht atje ku është Ballkani, në periferi të Evropës. Shumë shtete ballkanike, pas pranimit në BE, do të jenë shtete kufitare të BE-së, kështu që deri në hyrjen tuaj në BE punët munden madje edhe të përkeqësohen",- thotë Majer në intervistë.

Në pyetjen për ndryshimin e mundshëm të kufijve në Ballkan thotë se kufijtë e Ballkanit akoma janë çështje e hapur, në të ka kufij të cilat akoma nuk kanë gjetur zgjidhje.

"Kufijtë në Ballkan akoma janë çështje e hapur. Klinton para ca kohësh në Serbi deklaroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe ndarje, me ç'rast përfaqësuesit shqiptarë në Uashington i kanë bërë thirrje autoriteteve serbe ta njohin Kosovën, pasi që plani për ndarjen e saj nuk është i pranueshëm nga SHBA-ja. Pavarësisht se shkojnë bisedimet me Kosovën, mendoj se ndarja e saj akoma është mundësi, me ç'rast pjesa veriore e Kosovës do të kalonte në Serbi, ndërsa dy komuna të jugut të Serbisë do të bëheshin pjesë e Kosovës. Në Bosnjë gjithashtu ka mundësi për ndryshimin e kufijve. Ndërkohë patëm ndryshim kufijsh me Malin e Zi, kroatët dhe sllovenët të cilët në njëfarë mënyrë pjesërisht e zgjodhën çështjen e kufijve. Kur Kosova shpalli pavarësinë edhe ajo de fakto ishte ndryshim kufijsh, si dhe kur u bë pavarësia e Maqedonisë. Gjithsesi ndryshimi i kufijve është i mundshëm por ai duhet bërë me marrëveshje, duhet të jetë si pjesë e pakos",- shton Majer në intervistën për MIA-n.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit shqiptar Sali Berisha i cili foli për kombin shqiptar, deklaratë kjo që shkaktoi reagime të shumta Majer thotë se konkretisht me Maqedoninë, keni gjendje në perëndim, por Maqedonia funksionon.

"Liderët shqiptarë në Maqedoni, kur kam folur me ta, dëshironin që Marrëveshja e Ohrit të realizohet dhe të punohet sipas saj. Nuk e di sinqerisht se çfarë mund të sjell e ardhmja, vlerësoj se Maqedonia e meriton të ekzistojë përgjithmonë. Udhëheqja maqedonase dhe shqiptare duhet të flasin me sinqeritet. Personalisht mendoj se nuk ka gjasa që të ketë Shqipëri të Madhe ose Serbi të Madhe. Kur flas për ndryshim kufijsh nuk mendoj se Ballkani mund të përjetojë ndryshime të mëdha. Pikëpamja ime drejt Maqedonisë është si ndaj një shteti kundër së cilit shkojnë shumë gjëra. Të gjithë dëshironin një pjesë nga Maqedonia, por ajo është vend i cili vepron me përgjegjësi",- deklaroi ish zëvendës shef i CIA-s për Ballkanin në fund të intervistës.