Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 35-vjeçari, i cili shiste doza lënde narkotike, në qytetin e Durrësit, ndërkohë që ishte shpallur në kërkim pasi akuzohej nga Gjykata, për të njëjtën veprimtari kriminale.

Sekuestrohen dhjetëra doza kanabisi dhe një peshore elektronike, që u gjetën në banesën e tij.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Durrësit, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Seventeen”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u ndalua shtetasi Aldo Dhimitri, 35 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Pas kapjes së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një peshore elektronike dhe një celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.