Deri në orën 10:00, në Durrës kanë votuar 12,392 votues, apo 6.01% nga totali i votuesve (nga 262,019 qytetarë që kanë të drejtë vote).

Të gjitha qendrat e votimit në Durrës janë hapur në orën 07:00, ndërsa procesi paraqitet i qetë dhe pa anomali.

Vetëm një defekt teknik u raportua në mëngjes në qendrën e votimit 1461/1, ku u pezullua për disa momente procesi i votimit për shkak të bllokimit të pajisjes identifikuese të gjurmës së gishtit. Pas rregullimit të pajisjes që pësoi defektin teknik, procesi rifilloi normalisht. Në këtë QV votoi edhe kryebashkiakja dhe kandidatja e PS-së Emiriana Sako.

Kandidatët potencialë përballë njëri-tjetrit janë: Emiriana Sako e Partisë Socialiste, Luan Hoti nga Partia Demokratike dhe Ardian Muka i koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”, i udhëhequr nga ish-kryeministri Berisha.

Të tri kandidatët kanë votuar të shoqëruar nga familjarët e tyre, teksa të tre kishin të njëjtën thirrje për qytetarët durrsakë: të dalin masivisht në votime e të zgjedhin kreun e bashkisë.

Gjithsej 262,019 qytetarë do të kenë të drejtë vote apo 3,386 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën më 25 prill të vitit që lamë pas.

Në Durrës ka 4 KZAZ, me total 337 qendra votimi.

–ZAZ 21: 109 QV, 78709 zgjedhës

–ZAZ 22: 79 QV, 67432 zgjedhës

–ZAZ 23: 76 QV, 57891 zgjedhës

–ZAZ 24: 73 QV, 57987 zgjedhës.