Një fjongo blu për secilin prej tyre, por edhe për mësueset e tyre të dashura.

Një fjongo e vogël që simbolizon një kauzë të madhe; Të drejtat e fëmijëve dhe për t’i thënë STOP dhunës ndaj tyre.

Vogëlushët e klasës së dytë fillore në shkollën jo publike “Mihal Ekonomi” në Durrës, gjatë lëndës “Edukim për shoqërinë” kanë zgjedhur t’i bashkohen nismës, pjesë e të cilës prej disa vitesh është bërë edhe vendi ynë.

Me doçkat e tyre të vogla, me ndihmën e mësueses së tyre Romina Kasembi, por edhe prindërve, vogëlushët kanë punuar ditët e fundit për realizimin e fjongove blu, por edhe vizatimeve apo punimeve të ndryshme që si tematikë të tyre kanë të drejtat e fëmijëve.

Gjatë dy ditëve të fundit, ata kanë marrë njohuri mbi të drejtat që gëzojnë, por nga ana tjetër kanë krijuar një ide më të gjerë mbi gjendjen e fëmijëve kudo në botë, sidomos në vende të botës së tretë.

Fëmijët janë të ndryshëm, por të gjithë janë të barabartë”,- ishte motoja e tyre gjatë këtyre ditëve.

Fjongot e përgatitura prej tyre, ata ua shpërndanë edhe mësueseve, duke i bërë edhe ato pjesë e kësaj nisme.

Më 20 nëntor, në të gjithë botën festohet Dita Botërore e Fëmijëve.