Islor Islami, drejtor i policisë në Lezhë, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij drejtues pas zbulimit të tre ambienteve për ushtrimin e lojërave të fatit në Laç dhe Milot.
Më herët, policia njoftoi se kishte arrestuar tre persona dhe shpallur në kërkim një tjetër pasi ushtronin lojëra fati në lokalet e tyre. Njëri prej tyre ishte përshtatur edhe për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Në pranga u vunë Shkëlzen Preni 21 vjeç dhe Dorjan Medha 33 vjeç, dhe u procedua penalisht shtetasi S. Sh 61 vjeç pasi në një lokal në Laç, në pronësi të këtij të fundit u gjetën 8 makineta, 2 tavolina dhe sende të tjera për lojëra fati, si dhe sasi lëndë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në doza. Lokali bashkëadministrohej nga dy personat që u vunë në pranga Preni dhe Medha.
Po ashtu u arrestua edhe shtetasi Ylli Veseli 45 vjeç, pasi në lokalin e tij në Milot, u gjetën 6 pajisje dhe sende me të cilat luheshin lojëra fati.
Në kërkim u shpall Pjetër Lleshi 31 vjeç, i cili gjithashtu e kishte kthyer lokalin e tij në Milot në një ambient për lojërat e fatit. Në të u gjetën 2 makineta, 1 tavolinë dhe sende për lojëra fati.





