Pasditen e sotme, në orën 18.00, Shoqëria Civile ka thirrur një protestë në kryeqytet kundër rritjes abuzive të çmimeve, e cila nuk po ka të ndalur muajt e fundit.

Situata ekonomike, sidomos e shtresave në nevojë, është përkeqësuar ndjeshëm, pasi rritja e ndjeshme e çmimeve të produkteve të shportës dhe karburanteve i ka pakësuar në maksimum shpenzimet familjare.

Kriza e thellë që po kalojnë shumë familje reflektohet direkt në marketet e lagjeve, ku pronarët e tyre po shkojnë drejt falimentimit për shkak të uljes së ndjeshme të xhiros dhe akumulimit të borxheve të papaguara nga klientët.

Shumë nga pronarët e bizneseve të vogla në zonën e Arapajt, Durrës, ankohen për mungesën e të ardhurave, sepse rënia e fuqisë blerëse dhe largimi masiv i banorëve të periferive jashtë vendit e ka bërë thuajse të pamundur për ta mbajtjen hapur të biznesit.

Listat e gjata të borxheve janë të pranishme në secilin biznes, ndërkohë që pohojnë se klientët blejnë vetëm produktet esenciale. Për shumë nga klientët, frutat janë bërë “mollë” e ndaluar.

Ndiqni më poshtë intervistat e marra me pronarë biznesesh të vogla dhe banorë të zonës.