GREQI– "Jokushtetues” është konsideruar nga Këshillit i Shtetit, Ligji 3838/2010 për Emigracionin (i njohur si Ligji “Ragousi”, për shkak të emrit të ministrit të PASOK, i cili e formuloi). Ky ligj iu dha shtetasve të huaj që jetojnë në Greqi, të drejtën për të votuar dhe të drejtën për marrjen e nënshtetësisë greke. 

Sipas vendimit të Këshillit të Shtetit, ligji i miratuar nga PASOK cënon kërkesat e Kushtetutës. Marrëveshjet për përfitimin e shtetësisë greke nga të huajt, sipas ligjit në fjalë (3838/10), janë të bazuara në kushte thjesht formale (koha e qëndrimit të aplikantit dhe e familjes së tij në Greqi, mundësia që i jepet fëmijës së emigrantit për të marrë shtetësinë pasi ndjek një shkollë greke për disa kohë, apo mungesa e dënimit për vepra të caktuara e të rënda penale), dhe jo në kërkesat thelbësore të lidhjes me kombin grek nga i huaji, që aplikon për natyralizim. 

Këshilli i Shtetit deklaron gjithashtu se e drejta për të votuar është e kufizuar vetëm për qytetarët grekë dhe nuk mund të zgjatet për ata pa pronë, pa rishikuar më parë dispozitën përkatëse të Kushtetutës. 

Siç shkruajnë mediat referuar qarqeve ligjore, me vendimin në fjalë, mund të konsiderohen të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve komunale të vitit 2010, për shkak të pjesëmarrjes në to, të të huajve që u regjistruan në listat për procesin zgjedhor. 

Nga ndryshimet preken edhe emigrantët shqiptarë, që kanë nisur procedurat për marrjen e shtetësisë greke ose ata që dëshirojnë t’i nisin ato, sepse me kërkesë të zëvendësministrit të Brendshëm, Haralambos Athanasiou procedurat për dhënien e shtetësisë greke kanë "ngrirë" deri në miratimin e një ligji të dytë. 

Ndryshimet në ligjin për emigracionin ishin paralajmëruar që kur partia Demokracia e Re ishte në opozitë. Rreth 3 vjet më parë Antonis Samaras deklaroi se kur të vinte në pushtet, do të ndryshonte ligjin dhe këtë e rikonfirmoi edhe si kryeministër, gjatë shpalljes në parlament të programit të qeverisë së tij. 
Për ligjin e ri të emigracionit, “Demokracia e re” pritet të ketë në parlament mbështetjen e “Grekëve të Pavarur" si dhe votat e neonazistëve të “Agimit të Artë”, të cilët shprehen hapur kundër emigrantëve.