Kur ka qenë hera e fundit që keni pastruar furçat e grimit? Nëse e keni të vështirë të gjeni përgjigjien, atëherë ju nevojitet ky artikull.

Furçat tona duhet të pastrohen të paktën një herë në javë nëse qimet e tyre janë sintetike dhe patjetër dy deri në tre nëse janë natyrale. Me siguri po mendoni se nuk keni kohë për këtë proces, pasi duhet të prisni të paktën dhe 8 orë që ato të thahen. Por, nëse furçat qëndrojnë të pista atëherë do krijohen akne vazhdimisht në lëkurën tuaj.

Qelizat e vdekura, vajrat tona të fytyrës dhe shtresat e bazës në furçat tona krijojnë “vatra” mikrobesh që mund të jenë përgjegjëse për shpërthimin e akneve. Ja disa hapa për pastrimin e  furçave në mënyrë që të keni një lëkurë të pastër:

Hapi 1: Larja

Filloni me larjen e duarve, duke përdorur një sapun antibakterial dhe ujë të vakët. Lagni qimet e furçës, zhyteni në një tas me ujë me sapun dhe fërkojeni mirë me gishta për të hequr sa më shumë produkt të mundeni. Në treg ka edhe pajisje që përshpejtojnë larjen e furçave.  Nëse vëreni se ka ende mbetje produkti, mund ta përsërisni procesin derisa furça të jetë e pastër dhe e gatshme për përdorimin e radhës.

Hapi 2: Tharja

Pas larjes vjen tharja. Sigurohuni që të vendosni furçat horizontalisht pranë njëra-tjetrës në një peshqir në mënyrë që uji të mos bjerë në kontakt me bazën prej druri të furçës.

Këshillë shtesë

Mos harroni të lani edhe blenderin e përhapjes së fondatinës. Sfungjerët e make-up grumbullojnë një sasi edhe më të madhe produkti brenda tyre dhe janë akoma më të rrezikshëm kur vjen puna te mikrobet.