Pak ditë më parë, përmes pamjeve filmike “DurrësLajm” raportoi se muret e kalasë, që datojnë që në shek. V të erës sonë, janë në errësirë të plotë.

Gjatë orëve të natës monumenti i rëndësishëm i kulturës është thuajse “i padukshëm” nga syri i vizitorëve, që preferojnë ta shijojnë Durrësin në mbrëmje.

Por sot “DurrësLajm” vjen me një lajm të mirë, sepse duket se kjo situatë nuk do të vazhdojë për shumë kohë.

Kjo për faktin se ndriçimi i këtij monumenti të kategorisë së parë do të realizohet përmes një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

FSHZH ka hapur sot tenderin me vlerë rreth 124 milionë lekë, ku krahas ndriçimit të kalasë së Durrësit do të ndërhyhet dhe në itinerarin kulturor “Gjurmët Fishtiane” në Lezhë.

“Ky tender parashikon rizhvillimin energjitik dhe artistik me vëmendje të veçantë për elementet identifikuese të kalasë së Durrësit. Kryesisht do të jenë në vëmendje ndriçimi i mureve të jashtme dhe i objekteve të brendshme me vlerë, të tilla si hyrja e kalasë”,– shkruhet në dokumentet e tenderit.

Të gjithë instalimet do të kryhen me kujdes, në mënyrë që të gjithë muret dhe infrastruktura aktuale e kalasë të mos dëmtohet, të mos goditet apo thyhet.

Instalimet elektrike duhet të jenë lehtësisht të çmontueshme në një moment të dytë, nëse lind nevoja për ndryshime të infrastrukturës së kalasë (pa lënë gjurmë të instalimit). Asnjë monument, guve, pllakë guri, mur apo element tjetër i kalasë nuk duhet të preket drejtpërdrejtë nga mënyra e instalimit te tubave apo të linjave elektrike”, shkruhet ndër të tjera në raportin teknik.