Armando Vajushi shtyn debutimin me Teutën, skuadër të cilës iu bashkua me bujë në orët e fundit të merkatos dimërorë. Trajneri Bledi Shkëmbi shpresonte që shkodrani të jepte kontributin e tij të parë për durrsakët në takimin e sotëm me Kukësin, por duket se është ende herët që kjo të ndodhë.

Sulmuesi shkodran nuk është gati për të zbritur në fushën e blertë dhe për t’iu rikthyer futbollit shqiptar pas 7 vitesh. Burime nga stafi mjekësor i “Djemve të Detit” bëjnë me dije se Vajushi ka një problem në gju, çka e ka penguar të stërvitet rregullisht. Dyshohet se gjuri i ka mbledhur ujë, ndaj nevojitet një kontroll specifik mjekësor për të diagnostikuar gjithçka.

Shpresat e trajnerit Shkëmbi janë që shkodrani të mund të bëhet gati për ndeshjen e ardhshme. Shqetësime ka pasur edhe Uendi Vecaj, sulmuesi tjetër shkodran, por lajmi i mirë për durrsakët është gatishmëria për të luajtur e Bushic. Kroati erdhi merkaton e dimrit te Teuta dhe pritet kontributi i tij, duke nisur ndaj verilindorëve.