“U bë 2 vite e gjysëm që jemi përjashta. Kafshët e kanë një kasolle ku shkojnë, ndërsa ne rrimë akoma rrugëve”.

Ishte kjo deklarata e dhimbshme e një qytetari nga Durrësi që prej më shumë se dy vitesh pret ndërtimin e pallatit të tij, të dëmtuar rëndë nga tërmeti.

Dy vite e gjysëm pas tërmetit, banorët e 2 pallateve në lagjen nr.5 të Durrësit kërkojnë me urgjencë shembjen e godinave dhe nisjen e procesit të rindërtimit. Megjithëse u nxorrën me urgjencë nga shtëpitë e tyre fill pas tërmetit, ata vijojnë të jetojnë në shtëpi me qira dhe nuk kanë asnjë përgjigje konkrete nga institucionet lidhur me rindërtimin e dy pallateve.

“Ka përfunduar Laçi, Kavaja, Shijaku, këtu te ne nuk ka vënë dorë asnjë njeri. Vetëm ne të Durrësit jemi të persekutuar?”,- shtroi pyetjen një nga banorët protestues.

“I bëj thirrje Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Rindërtimit të nxitojnë, jo të flejnë”,- shtoi një tjetër protestues.

Banorët e këtyre dy godinave shumëkatëshe kanë protestuar disa herë para bashkisë gjatë dy viteve të fundit, por ende sot apeli i tyre drejtuar institucioneve vendore dhe qendrore ka rënë në vesh të shurdhët.  

M.B.