Mesfushori i Teutës, Sandër Kalaj, shpreh mendimet e tij mbi ecurinë këtë sezon, si dhe objektivat për sezonin e ardhshëm që ka Teuta. Kalaj është i bindur se sezoni i ri do të jetë më i suksesshëm, si për të personalisht, ashtu edhe për skuadrën. Sandër, e mbyllët këtë vit në Durrës.

Çfarë note i vendosni kampionatit tuaj, pra, ekipit?

Duke parë sesi rrodhën ngjarjet, mendoj se kemi bërë maksimumin. Nuk më pëlqen të vendos një notë, le ta lëmë këtë për specialistët që të na vlerësojnë. Personalisht, mendoj se kemi bërë më të mirën.

Vitin që vjen do t’ju shohim sërish tek Teuta, apo keni rezervuar plane të tjera për të ardhmen?

Duhet të theksoj se kam kontratë me Teutën dhe nuk po mendoj për të ardhmen. Momentalisht dua të jap maksimumin në këtë skuadër, pasi po stërvitem individualisht në këto ditë pushimi që kemi. Më pas do t’i bashkohem ekipit për sezonin e ri.

Cili është një episod që do ta mbani mend gjatë nga ky sezon?

Në fakt, nuk jam fokusuar tek episodet e veçanta, por tek i gjithë sezoni. Për mua ky është një nga edicionet më të bukura dhe shpresoj që kam kënaqur të gjithë ata që më kanë besuar fanellën e Teutës, nga presidenca, deri te trajneri Hodo.