Miliarderi amerikan, Jeff Bezos, do të udhëtojë sot në hapësirë me anijen raketë të ndërtuar nga kompania e tij, Blue Origin.

Ai do të shoqërohet nga vëllai i tij, Mark, një pilote 82-vjeçare, Wally Funk, dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen dhe fluturimi i tyre do të zgjasë 11 minuta.

“Ta shohësh Tokën nga hapësira, është një gjë që ju ndryshon. Ju ndryshon marrëdhënien tuaj me këtë planet, me njerëzimin. Është një gjë që kam dashur ta bëj gjithë jetën time”, tha Bezos për kanalin televiziv CBS.

Bezos ka themeluar kompaninë e tij hapësinore Blue Origin në vitin 2000, për të zhvilluar turizmin e fluturimit hapësinor.

Teksa pritet që kompania të nisë shitjen e biletave shpejt pas fluturimit të Bezos, ende nuk është zbuluar kostoja e një udhëtimi.