CSDC Durrës, Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile, Durrës po organizon kampe verore me aktivitetet e animacionit social dhe sportet e lëvizshme për fëmijët e shkollave 9-vjeçare “Eftali Koçi” dhe “Met Hasa”.

Kampi zgjat 4 ditë për secilën shkollë dhe zhvillohet në parkun Sektor Rinia. Gjatë kampit, fëmijët e klasave III -IV luajnë një larmishmëri lojërash që synojnë gjithëpërfshirjen, bashkëpunimin, respektin dhe argëtimin.

Mirjam Reçi, drejtore e organizatës zbatuese, thotë se kampet verore janë vetëm një aspekt i programit të zhvilluar në dy shkollat 9-vjeçare. Nisma synon angazhimin dhe mbështetjen e femijëve që vijnë nga familje me status social ekonomik të ulët dhe përpiqet sadopak të përmirësojë gjendjen e tyre sociale. Të gjitha aktivitetet e parashikuara ndihmojnë aspektin e mbrojtjes dhe realizimit të të drejtave të fëmijës.

Ky program zhvillohet nga CSDC Durrës, në kuadër të projektit “Rritja e Përfshirjes Sociale të fëmijëve me status të ulët social-ekonomik në Bashkinë e Durrësit”, zbatuar si pjesë e programit ARISE “Action for Reducing Inequalities in Education”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe po realizohet me bashkëpunimin dhe mbështetjen e organizatës “Children Are the Future”.