Në bashkinë Durrës u zhvillua një takim mes kryetares Emiriana Sako dhe presidentit tw Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza si dhe presidentit tw Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Conflitti. Qëllimi i takimit ishte diskutimi rreth përgatitjeve që do të bëhen për organizimin e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për të rinj dhe U-23, që do të organizohet në qytetin bregdetar në datat 13-25 tetor 2022.

Presidenti Gjoza deklaroi se rreth 700 peshëngritës të rinj nga të gjitha vendet e Evropës do t’i bashkohen në Durrës këtij eventi sportiv.

Gjoza tha se gjeti mbështetjen e plotë të kryebashkiakes Sako për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti ndërkombëtar, si një mundësi mjaft e mirë jo vetëm në aspektin sportiv, por një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit dhe për afrimin e të rinjve drejt sportit dhe një stili jetese të shëndetshëm dhe largimin nga veset e këqia dhe jeta sedentare.

Ndërsa presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes Antonio Conflitti tha se kishin zgjedhur sërish Durrësin për mbajtjen e këtij eventi ndërkombëtar për shkak të eksperiencës së mirë në vitet e mëparshme në dy kampionate evropiane për të rinjtë të mbajtur.