Ky fillim jave i gjen partitë kryesore politike të angazhuara maksimalisht në përzgjedhjen e kandidaturave, me të cilat do të përfaqësohen në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në 6 bashkitë e vendit.

Megjithëse situata në Durrës duket e qetë, interesimi publik për të mësuar se me cilin apo cilët kandidatë do të përfaqësohet opozita në zgjedhjet e 6 marsit është shumë i madh.

Ende nuk ka një përgjigje konkrete nga dy grupimet e mëdha brenda PD-së, sesi do të përfaqësohen në këto zgjedhje, të ndarë apo të bashkuar.

Në këto zgjedhje, një peshë të rëndësishme pritet të luajnë edhe aleatët dhe pozicionimi i tyre në krah të njërës apo tjetrës palë.

Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste dhe njëherazi deputet i Durrësit nga radhët e opozitës, në një intervistë telefonike për “DurrësLajm” konfirmoi se mbështetja e PAA-së për kandidatin opozitar do të jetë vetëm në rastin, kur PD do të përfaqësohet nga vetëm një kandidaturë.

“Vetëm nëse opozita del me një kandidaturë të përbashkët do ta mbështesim”,– tha Duka, ndërsa shtoi se nëse PD merr pjesë në zgjedhje me dy kandidatë atëherë “mbështetësit e PAA-së do të jenë të lirë të votojnë më të mirin”.

Duka hodhi poshtë faktin se do të jetë ai kandidati me të cilin do të garojë Komisioni i Rithemelimit në Durrës duke e konsideruar lajm të rremë një postim të bërë nga Aleanca Kuq e Zi, sipas së cilës Duka do të garonte për mbështetësit e Berishës.

Politikani Duka është një figurë e njohur dhe me mbështetje të madhe në qarkun e Durrësit. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ai u pozicionua në vend të dytë në listën e kandidatëve të PD-AN dhe siguroi një mandat deputeti në Kuvendin e Shqipërisë.  

M.B.