Mjekja Manjola Luku është surpriza më e madhe deri më tani në qarkun e Durrësit.

Kandidatja e renditur e 9-ta në listën e PD-së, i ka lënë pas të gjithë me një diferencë të thellë votash.

Nga hapja e 84 kutive në qarkun e Durrësit, Luku ka mbledhur 2327 vota, duke rezultuar më e preferuara e demokratëve.

Madje, ajo ka regjistruar deri më tani rekord përsa i përket votave preferenciale edhe me rivalët socialistë.

I pari nga PS renditet deputeti Jurgis Çyrbja, që ka mbledhur deri 2083 vota. Vlen të theksohet fakti se si Lukut dhe Çyrbjas u ishin caktuar si zona elektorale Ishmit, Manza, Sukthi etj, më saktë njësitë administrative të bashkisë Durrës.

Deri më tani, nga përballja e drejtpërdrejtë, kandidatja Luku rezulton fituese ndaj Jurgis Çyrbjas.

Megjithëse kandidon për herë të parë në zgjedhje, Luku ka lënë pas me diferencë të thellë votash kandidatë të së djathtës, të sprovuar disa herë në beteja elektorale.