Partia Socialiste ka vendosur që konfirmimin zyrtar të kandidatëve për kryetar bashkie që do kandidojnë në zgjedhjet e qershorit, ta bëjë gjatë kongresit që të mbledhë më 30 mars. Kryeministri Rama ka nisur një tur në bazë, “Bashkia që duam” për të promovuar emrat që do të rikonfirmohen si drejtues të suksesshëm të pushtetit vendor.

PS ka premtuar se do të kryejë një analizë të punës së bërë nga kryebashkiakët aktualë dhe do të mbledhë kandidaturat që do të vijnë si propozime nga baza, për të bërë më pas edhe përzgjedhjen finale.

Situata në Bashkinë e Durrësit, mbetet ende e paqartë, pasi kryebashkiaku Vangjush Dako pavarësisht përfshirjes së emrit të tij në përgjimet e Prokurorisë për skandalin e blerjes së votave, dëshiron të rikandidojë.

Pak ditë më parë, gjatë një intervistë televizive, ai u shpreh se nuk ndihej i lodhur dhe se i pëlqente të ishte kryebashkiak i Durrësit edhe për një mandat tjetër. Gjithsesi, ai u shpreh se edhe nëse nuk do ishte kandidat, do të ishte në krye të fushatës së PS për këtë qark.

“Në çdo rast, në çfarëdolloj pozicioni, unë do të jem në krye të fushatës elektorale dhe do të garantoj që fitorja të jetë edhe më e thellë sesa në vitin 2015”, – u shpreh Dako.

Deklaratë kjo e Dakos që u përforcua një ditë më parë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Balla u shpreh në një intervistë televizive se edhe nëse nuk konfirmohet Dako, ai do japë kontributin e tij për Durrësin dhe PS-në. Me këtë deklaratë duket se Balla paralajmëroi socialistët durrsakë, se kryebashkiaku që drejton qytetin bregdetar prej 12 vitesh, nuk do të kandidojë më për një mandat të katërt.

“Dako është prej vitit 2007 në krye të bashkisë së Durrësit dhe ky qytet ka njohur një transformim të thellë, por në momentin e duhur do të jetë vetë Dako dhe struktura e PS Durrës dhe PS që do vendosë. Edhe nëse nuk do jetë në krye të bashkisë, kjo nuk e pengon që ai të vazhdojë aktivitetin e tij në mbështetje të zhvillimit të Durrësit”,- tha Balla.

Po nëse nuk kandidon Dako, kush pritet ta zëvendësojë atë?

Një nga kandidaturat që ka kohë që përflitet është kreu i OSSHE-së, Adrian Çela. Çela, përveçse krahu i djathtë i Dakos për shumë vite, kur mbante postin e nënkryetarit të bashkisë, nuk mund t’i mohohet kontributi për thellimin e diferencës së votave nga njëri mandat në tjetrin, kur Dako kandidonte përballë rivalëve nga PD. Plus ai është një figurë e njohur në rradhët e socialistëve durrsakë, që e kanë parë si pasardhësin e kryebashkiakut aktual. Nëse Çela do të jetë kandidatura zyrtare e PS-së në Durrës, atij do t’i duhet të japë dorëheqjen nga posti i lartë zyrtar që mban aktualisht. 

Në muajin janar, edhe nënkryetari i bashkisë, Arbër Braho, u vetëpropozua si kandidaturë për postin e qytetarit nr.1 të Durrësit.

“Në fakt, nuk e mohoj që kjo është një dëshirë e imja, por dua të theksoj që Bashkia e Durrësit aktualisht, e ka një kryetar. Zyrtarisht nuk e kam marrë një ftesë të tillë nga Partia Socialiste, por gjithashtu, do respektoj dhe mbështes çdo vendim të strukuturave të Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj, Edi Rama”,- deklaroi Braho në janar.  

Vizita e kryeministrit Rama në Durrës në kuadër të turit “Bashkia që duam” mund të hedhë dritë më shumë mbi emrin që do të propozojë partia që qeveris vendin, e që në Durrës prej 18 vitesh nuk e ka dorëzuar postin e kryebashkiakut.