Kapet në Durrës dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, 28-vjeçari Glorildo Halili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Italisë, si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikimin e narkotikëve.

Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës dhe specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH, të mbështetur nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të koordinuara ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, finalizuan operacionin policor të koduar “Vendndodhja”, si rezultat i të cilit u lokalizua në lagjen nr. 13, Durrës, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar G. Halili, 28 vjeç, banues në fshatin Çermë, Lushnjë.

28-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Itali.