GREQI- Policia greke ka asgjesuar përgjatë një operacioni gjigand që ka nisur qysh prej dhjetë muajsh, një rrjet trafikantësh të lëndëve narkotike që vepronte në qytetet e Selanikut, Agrinios dhe Vollosit duke arrestuar të paktën 28 persona.
Protagonistët kryesorë dhe shumica në përbërjen e këtij grupi kanë qenë shtetas shqiptarë që bashkëpunonin me disa grekë dhe disa ciganë në një zonë periferike të Selanikut, por edhe me tre oficerë të policisë greke, madje njëri prej tyre me gradë të lartë në qytetin bregdetar të Vollosit.
Policët grekë ndihmonin anëtarët e këtij rrjeti duke u dhënë informacione për kontrollet e antidrogës, u jepnin sasi lëndësh narkotike të konfiskuara në operacione të tjera për t’i hedhur përsëri në treg apo ndryshonin dëshmitë e tyre kur arrestoheshin përgjatë ndonjë operacioni policore duke trafikuar drogë. Rrjeti është zbuluar pas zbardhjes së tabulateve telefonike të oficerëve të policisë me pjesëtarët e këtij grupi në sajë të një aparature moderne të përgjimit të Shërbimit të Fshehtë të Shtetit. Madje bëhet fjalë se do të ketë edhe arrestime të tjera në radhët e policisë greke.
Trafikantëve u janë gjetur dhe u janë konfiskuar në shtëpitë e tyre armë, sasi hashashi, heroinë, kokainë si dhe shuma të mëdha parash. Sipas informacioneve të para nga policia, rrjeti udhëhiqej nga shtetasit shqiptarë emrat e të cilëve ende nuk publikohen pasi hetimet vazhdojnë. Ata trafikonin hashash dhe heroinë kryesisht nga Shqipëria, por dhe nga vende të tjera të Ballkanit me destinacion sidomos Selanikun dhe Vollosin.
Gjithë kjo sasi ruhej në një depo të madhe të cilën ende policia nuk e ka zbuluar dhe më pas kryhej shpërndarja në sasi të vogla. Burime policore bëjnë me dije se është në proces zbardhja e bisedave të tjera telefonike, ndërsa priten edhe arrestime të reja.