Sektori i peshkimit në Durrës është në një krizë të thellë për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare dhe tregun shqiptar. Për këtë shkak, sektori ishte gati të përfshihej në një grevë të përgjithshme, duke pezulluar daljet në det. Kreu i sindikatës së peshkimit, Klodian Kapiti, deklaroi për mediat se aktualisht ky sektor furnizohet me naftë 1800 lekë/litër, shumë më i lartë sesa çmimi që përllogarit flota e peshkimit për të qenë eficente.

Sipas Kapitit, pas mbledhjes së djeshme mes Ministrisë së Financës dhe Bujqesisë është arritur marrëveshja që pas datës 1 korrik, peshkatarët të përfitojnë nga skema e rimbursmit të naftës me 400 lekë për litër sipas çmimit të përllogaritur nga Bordi i Transparencës.

Një rritje të ndjeshme ka pësuar çmimi i peshkut në treg në muajt e fundit, kjo dhe për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt si pasojë e sezonit turistik. Për shumë nga speciet e detit, çmimi është dyfishuar, por për këtë Kapiti fajëson njësitë e tregtimit dhe restorantet.

Durrësi është qyteti me numrin më të madh të restoranteve të peshkut në shkallë vendi dhe është një industri e tërë që funksionon në shërbim të sezonit turistik. Flota e peshkimit është furnizuesi numër nr.1 me prodhime të freskëta deti për restorantet dhe hotelet.  

M.B.