Kuarteti tërheqës i mjeksisë durrsake
-T’u heqim kapelen Sulë Mborjes, Pirro Qerimit, Riza Xhepës dhe Nikolla Jorgonit
BUJAR QESJA
Është një foto, që nuk dua të pluhuroset pa ndonjë koment kësisoj. E kam vendosur më parë, në profilin kushtuar doktor Nikolla Jorgonit. Por në këtë rast dua ta veçoj, pasi merr më shumë vëmëndje, syrin e prek më lehtë, e mëndja fillon e vërtitet rreth tyre.
Vondosa në titull fjalën mbivlerë, kur para saj qendron fjala tjetër vlerë. Pse? Mbivlera në nocionin kapitalist të fjalës është fitim, madje e shumëfishtë mbi djersën e tjetërkujt. Mbivlera në këtë rast, që kanë prodhuar këta katër mjeshtra të mjeksisë, është thjesht puna e tyre e jashtëzakonshme, e mbështetur vetëm në djersë dhe koston materiale të planifikuar.
Kam një foto në duar. E vështroj. E mbaj gjatë në sy. Më duket e gjallë dhe sikur me të katër po bisedoj. Nga të katër, njëri ka mbyllur sytë, ndërsa tre të tjerët janë në rekord jete. Pirro Qerimi i vitlindjes 1936, Riza Xhepa i 1937-tës dhe Nikolla Jorgoni i 1938-tës. Pra janë 89, 88 dhe 87 vjeçarë.
Sulë Mborja ka vite që nuk është më ndër ne, duke lënë një emër të shkëlqyer, me format historike. Mborja ishte pediatër. I urtë, i thjeshtë, fjalë pa, e shumë i zoti. Po pse këto tre të tjerët si janë? Histori suksesi. Burra të bëshëm, të fortë, të pashëm, zotërinj të vërtetë.
Një Durrës i mban në gojë. Një Durrës ka gëzuar shërbimet e tyre. Një Durrës i falenderon dhe i bekon të mrekullueshmit e tij.
Një foto, shumë histori. Nuk doja të pritja më gjatë, për të bërë komentin e saj. Mbase shtyrja për disa kohë, do të më plotësonte më shumë njohuritë rreth tyre. Pos ska gajle edhe kështu sa po shkruaj mjafton për ti përmëndur, e për ti dhënë suportin që meritojnë.
Pirro Qerimi, burrë i pashëm, virtuoz në profesionin e stomatologjisë. Mosha 89-të vjeçare na detyron të themi, se e nisi punën në fillimet e viteve 50-të. Po kështu edhe Sulë Mborja, pediatri i florinjtë i mjeksisë për fëmijë, Riza Xhepa kardiologu që vetëm me sy të shëron e jo më të vizitojë, e Nikolla Jorgoni i famshëm me atë biçikletën e tij muzeale, duke trokitur në çdo derë durrsaku.
Foton e kam vendosur në ekranin e kompjuterit. Vështroj më vëëndje. Katër mjekë. Katë kapituj. Katër histori. Pa dashur të nënvleftësoj kërkënd, shtroj pyetjen: A kemi të tillë sot të barazvlefshëm me to? Vonon përgjigja, ndonëse mjeksia e sotme ka ecur shumë, se sa ajo e këtyre të katërve. Por humanizmi i tyre, vështirësitë e tyre, raportet shumë njerëzore me të sëmurët, përkushtimi dhe përbetimi për nder dhe personalitet, është lart, shumë lart.
Fjala mbivlerë këtu e ka qëllimin. Vlera e tyre ka prodhuar mbivlerën, e cila i ka mbuluar me nderin pa cak nga durrsakët dhe më gjërë. Ata janë në krenarinë tonë, janë në identitetin tonë, janë vetë mburrja e jonë. Dhe si e kanë arritur? Hë pra, si e kanë arritur.
Me punë titanike, duke ulur kryet, e duke dëgjuar më shumë se sa të flisnin. I kanë shëruar njerëzit më parë, me fjalë të kurajos dhe shpresës, më pas i kanë mjekur. Jo vetëm skanë kërkuar gjë, por kanë patur dhe kanë dinjitetin të mos i shikojnë pacientët nga duart, por ti falin zemrën dhe sigurinë e shërimit.
Katër mjekë. Katër njerëz të thjeshtë. Katër qytetarë, që e lidhën jetën dhe detyrën me Durrësin, për ti shërbyer durrsakëve. A mund të vonoja më tej nga e sotmja, për t’i vendosur në ballë të punës time përkushtuese? Absolutisht jo. Më hollësi mund të jepja, por nuk do të vlente më shumë, sa emri dhe historia që kanë krijuar, duke mbetur në fondin e artë të mjeksisë dhe humanizmit durrsak.
Të katër në një foto. Të katër në një dinjitet. Të katër krenarë për atë që dhanë dhe kokëulur, për të mos kërkuar shpërblim. Dhe vjen një ditë! Dhe vjen një ditë, që ne i përkushtohemi ja kështu si në këto rradhë, e më pas edhe në shumë, rradhë të tjera të merituara.
Kuarteti nderues i mjeksisë durrsake. Nuk do të lodhemi së foluri për ta, së kujtuari e së nderuari për nderet dhe përkushtimet që kanë bërë.
Pediatri Sulë Mborja, stomatologu Pirro Qerimi, kardiologu Riza Xhepa, pathologu Nikolla Jorgoni në një foto. Të mirët ata! Të thjeshtët ata! Të merituarit ata!
Kjo është ajo mbivlera që ato dhanë.
Bujar Qesja
Durrës: 12 janar 2025
Në pamje nga e majta: Sulë Mborja (nuk jeton), Riza Xhepa, Pirro Qerimi dhe Nikolla Jorgoni.