Një sherr i madh ku u përfshinë tre vëllezër nga njëra palë dhe babë e bir nga pala tjetër, degjeneroi deri në përdorimin e armës të zjarrit dhe me plagosjen e një 25-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, konkretisht në orën 03:20 në një lokal në lagjen nr.13.

Një nga tre vëllezërit, shtetasi R.C. 25 vjeç u plagos në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes policia arrestoi shtetasin A.K. 51 vjeç dhe ka shpallur në kërkim djalin e tij, si dhe po punon për zbardhjen e plotë të rastit.

NJOFTIMI I POLICISË

Pas një konflikti të çastit, në një lokal, u plagos me armë zjarri një 25-vjeçar, rast për të cilin Policia arrestoi menjëherë një 51-vjeçar dhe po punon për kapjen e djalit të tij.

Rreth orës 03:20, dyshohet se pas një konflikti të çastit, në një lokal në lagjen nr. 13, ndërmjet shtetasve R. C., 25 vjeç, K. C., 40 vjeç dhe M. C., 28 vjeç, vëllezër, të tre banues në fshatin Fllakë, dhe shtetasve A. K., 51 vjeç dhe E. K., 25 vjeç, babë e bir, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi R. C., i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, është kapur dhe vënë në pranga njëri nga autorët e dyshuar të plagosjes, shtetasi A. K., si dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit E. K..

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë penale të shtetasve të përfshirë në konflikt, si dhe për të provuar ligjërisht rrethanat e tjera të këtij rasti.