Gjykata e Durrësit shpalli moskompetencën e saj për të marrë në shqyrtim kërkesën e Fredi Belerit për t’u lejuar të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës.
Sipas gjykatës së shkallës së parë Durrës, çështja i kalohet Gjykatës së Lartë për vlerësim.
Fredi Beleri bëri kërkesë pak ditë më parë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për t’u lejuar që të bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës.
Ai u arrestua dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit, por pavarësisht kësaj ai mundi të fitojë me shumicë votash përballë kundërshtarit të tij.
Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.
Pavarësisht fitores, Beleri nuk ka bërë ende betimin si kryebashkiak.
Vendimi i gjykatës:
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është depozituar Kërkesa Penale me Nr. 561 Akti, datë 22.09.2023 regjistrimi, me objekt “Kundërshtimin e aktit Nr. 1938 prot. datë 08.09.2023, njoftuar me datë 11.09.2023, pranimin e kërkesës për dhënie leje/autorizim të veçantë.”, me kërkues shtetasin Dhionisios Alfred Beleri dhe palë të interesuara Institucioni për Ekzekutimin e Vendimeve Penale Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo çështje u shqyrtua nga trupi gjykues Znj. Entela Shedula, ku në përfundim, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi:
-Të parashtrojë përpara Gjykatës së Lartë mosmarrëveshjen e kompetencës lëndore për gjykimin e kërkesës penale Nr.71029-02531-11-2023/561 regjistri themeltar, datë regjistrimi 22.09.2023, me objekt: Kundërshtimin e aktit Nr. 1938prot, datë 08.09.2023, njoftuar me datë 11.09.2023, pranimin e kërkesës për dhënie leje/autorizimi të vecantë,
-Dërgimin e kopjes së akteve Gjykatës së Lartë.
-Një kopje e vendimit do t’i dërgohet për njoftim Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.