Për të pestin vit radhazi Shijaku u kthye në kryeqendrën e motoristëve të cilët erdhën nga mbi 40 vende të ndryshme të botës dhe diasporës duke krijuar një atmosferë elektrizuese të shoqëruar nga muzika Rock, një koncert me festime të ndryshme dhe shumë qytetarë dhe turist.

Grupe kombëtare dhe ndërkombëtare të shoqatave të motoristëve nga vende si Shqiptëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Hollanda, Suedia, Danimarka dhe Zvicra, mbërritën në Shijak pasditen e sotme për këtë event që tashmë Bashkia Shijak e ka kthyer në një traditë të përvitshme çdo fillim qershori.

Presidenti i Albania Bikers, Artan Lala, vlerësoi rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes në Motor Fest dhe ndikimin që eventi ka në promovimin e turizmit në Shijak. Sipas tij, festivali ka tërhequr motoristë nga vende të shumta europiane dhe është kthyer në një aktivitet të hapur jo vetëm për komunitetin e motoristëve, por edhe për të gjithë qytetarët.

“Numri i motoristëve është në rritje. Pesë vite që ne bëjmë një moto-xhiro në gjithë Shqipërinë, jo vetëm këtu në Shijak. Sot është kryesorja, pasi do të bëjmë një moto-xhiro nga Shijaku, do të shkojmë për në Durrës dhe do të kthehemi prapë, e më pas fillon festa. Numri është gjithmonë në rritje, ashtu si edhe turizmi. Kjo i sjell diçka Shijakut, sepse Shijaku nuk e ka këtë lloj turizmi që ne bëjmë për këto dy ditë. Kemi pjesëmarrës nga e gjithë Europa: Anglia, Suedia, Norvegjia, Holanda, Danimarka, Zvicra, Kroacia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia. Festa është e hapur për të gjithë. Jo vetëm për motoristët, por edhe për qytetarët e tjerë, sepse këtu nuk ka vetëm muzikë rock, por edhe muzikë popullore nga të gjitha trevat”, u shpreh Lala.

Parada e motoristëve nisi pasditen e së shtunës, me pjesëmarrjen e 50 grupeve ndërkombëtare dhe mbledhjen e tyre në orën 15:00 nga sheshi i Shijakut, nisjen e paradës nga ora 17:30 prej sheshit të Shijakut drejt shëtitores “Taulantia” Durrës, për t’u rikthyer më pas në qendër të Shijakut me vazhdimin e eventit të hapur ku pritet një koncert Rock n’Roll dhe jo vetëm.

Motor Fest është parë gjithnjë jo thjesht si një paradë, por si një festë e vërtetë ku ndahet histori, përvojë dhe miqësintë reja.

Me pjesëmarrje që rritet nga viti në vit, Motor Fest po konsolidohet si një nga aktivitetet më të mëdha të motoristëve në Shqipëri, duke e vendosur Shijakun në hartën e eventeve ndërkombëtare të këtij komuniteti dhe duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe jashtë tij.

Agjenda e plotë:

17:30 – Nisja e paradës nga qendra e Shijakut

18:00 – Kthimi i paradës në qendër

18:45 – Hapja zyrtare e programit dhe performancë e grupit të valleve popullore me drejtuesen Gabriela Rama

19:00 – Fjala përshëndetëse nga Kryetari i Bashkisë Elton Arbana dhe Presidenti i Albania Bikers

19:20 – Performancë artistike nga grupi i tupanave Manaj Dance

19:45 – Performancë muzikore nga grupi Magic 4

20:30 – E ftuara speciale Biker Sister of Rock

21:30 – Ceremonia e 5-vjetorit të Albania Bikers, prerja e tortës dhe spektakël me fishekzjarre

21:50 – Performancë muzikore nga Fjoralb Dedja

22:15 – Performanca e radhës nga grupi Magic 4

22:50 – Shorteu festiv me dhurata për pjesëmarrësit

23:15 – Mbyllja e aktivitetit.