Koha që dikush kalon në saunë është një “investim” për mirëqenien, thonë kardiologët.

Një studim i ri i botuar në International Journal of Circumpolar Health tregoi se ata që përdornin rregullisht saunën raportuan më pak dhimbje, nivele më të ulëta të stresit, nivele të rritura të energjisë dhe lumturisë, si dhe përmirësim të cilësisë së gjumit.

Për më tepër, pjesëmarrësit që kishin këtë zakon kishin më pak gjasa të zhvillonin hipertension.

Nxehtësia e saunës bën që enët e gjakut të zgjerohen, gjë që përmirëson qarkullimin e gjakut, duke nxitur oksigjenimin e indeve dhe duke përshpejtuar largimin e toksinave.

Nuk është sekret që atmosfera e ngrohtë dhe e qetë e saunës ka një efekt qetësues për trupin dhe mendjen. Temperatura e lartë ndihmon në relaksimin e muskujve, duke reduktuar tensionin dhe dhimbjen. Në të njëjtën kohë, mund të na ndihmojë të eliminojmë stresin.

Studiuesit në Suedi, të cilët analizuan të dhënat për 971 persona të moshës 25 deri në 74 vjeç, vërejnë se 66% e përdoruesve të saunës raportuan “shëndet më të mirë fizik dhe mendor”.

Efekti i saunës shfaqi përmirësim në humor, jo vetëm tek ata që e frekuentonin rregullisht saunën por dhe për ata që e vizitojnë rrallë këtë.

Studimet e mëparshme kanë lidhur përdorimin e rregullt të saunës me një sistem të fortë imunitar dhe mbrojtje kundër ftohjes dhe gripit. Gjithashtu duket se pastron traktin respirator dhe sinuset.

Kujdes: Mos qëndroni në saunë për një kohë të gjatë. Djersitja e madhe mund të çojë në dehidrim. Njerëzit me sëmundje të zemrës ose probleme të tjera shëndetësore duhet të konsultohen me mjekun e tyre përpara se të përdorin një sauna. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit me lëkurë të ndjeshme ose alergjike dhe gratë shtatzëna.