Rritet numri i turistëve që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri. Referuar të dhënave të INSTAT për strukturat akomoduese numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 3,9 herë, në krahasim me tremujorin e dytë 2020.

Sipas INSTAT, numri I shqiptarëve që kanë zgjedhur të pushojnë në atdhe është dyfish më shumë së një vit më parë ndërsa numri i të huajve është disa herë më i lartë.

Të dhënat tregojnë se numri i vizitorëve jorezident është rritur me 8,9 herë.

E thënë ndryshe në strukturat akomoduese në 3-mujorin e dytë të këtij viti kanë pushuar afro 14 mijë shqiptarë, ndërsa numri i turistëve të huaj ka arritur në 141 mijë shtetas. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të Ndryshme” është 11,4 %, kundrejt 4,6 % që ishte në tremujorin e dytë 2020, ku Shqipëria ishte në karantinë për shkak të Covid-19.

Në 63 % të rasteve, turistët kanë pushuar në strukturat akomoduese pranë zonave bregdetare dhe 43 % në rajonet e qendrës.

Jugu është rajoni më i preferuar, i ndjekur më pas nga rajoni qëndror i Shqipërisë dhe ai verior.