Vijojnë patrullimet në terren dhe kontrollet në lokale, për të evidentuar rastet e ndotjes akustike.

Kishin vënë muzikë të lartë, gjatë natës, në lokalet që administronin, dhe si pasojë kishin prishur qetësinë publike, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas.

Sekuestrohen disa pajisje që gjeneronin muzikë.

Si rezultat i patrullimeve të pandërprera në terren, për goditjen e paligjshmërive, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë konstatuar se në 2 lokale në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ishte vënë muzikë në tejkalim të nivelit dhe të orarit të përcaktuar.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar vijimin e kësaj paligjshmërie. Për të dyja këto raste u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për administratorët e këtyre lokaleve, shtetasit L. H., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe N. D., 23 vjeç, banues në Fier.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa pajisje që gjeneronin muzikë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.