Një 37-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasditen e kësaj të enjte.
I riu kishte përshtatur lokalin ku punonte në Kavajë për aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit.
Sipas njoftimit zyrtar, u procedua penalisht edhe pronari i lokalit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në një lokal, në lagjen nr. 6 Kavajë, viheshin baste sportive.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë organizatori i kësaj veprimtarie, shtetasi L. D., 37 vjeç, banues në Kavajë, si dhe u procedua penalisht shtetasi K. C., 45 vjeç, banues në Kavajë, pasi e kishte përshtatur lokalin e tij, për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.