Julian Nagelsmann do të jetë trajneri i ri i Gjermanisë, aty ku zëvendëson Hansi Flick, i cili nuk ia doli të përsëriste në Kombëtare suksesin e arritur me Bayern Munchen. 36-vjeçari do të drejtojë katër herë kampionët e botës deri në fundin e Euro 2024, turne që do të organizohet verën e vitit të ardhshëm në Gjermani. Zgjedhja e Nagelsmann është pritur mirë, por ka edhe ata që janë skeptikë, duke theksuar se mungesa e eksperiencës është një pikë e dobët e trajnerit të talentuar. Por ndryshe mendon Jurgen Klopp, trajneri i Liverpoolit, për të cilin mosha e re e Nagelsmann nuk është aspak problem.

“Julian është një zgjidhje e shkëlqyer për pankinën e Gjermanisë, sepse po diskutojmë për një trajner të madh. Do të lumturosha shumë nëse ndodh kështu. Mosha? Nuk është absolutisht e rëndësishme! Ai i ka dhënë provat që kur ishte 28 vjeç, duke treguar se është një trajner fantastik. Ka tetë vite eksperiencë, nuk janë pak duke llogaritur që ka trajnerë që piqen në moshën 45-50 vjeçare. Mosha, sigurisht që nuk është një kriter që duhet marrë parasysh kur zgjedh një trajner të ri”, deklaroi timonieri i Liverpoolit.