Programi Kombëtar i Vaksinimit ka si qëllim të arrijë nivele të larta të mbulesës vaksinale, me vaksina të sigurta dhe efektive për të parandaluar sëmundjet infektive, në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot në një postim në rrjetet sociale se “gjatë vitit 2024 janë kryer 16259 vaksina HPV nga të cilat 6492 te vajzat 13 vjeçe dhe 9767 tek grup-mosha 14-20 vjeçe me fushatën e zgjeruar”.
“Vaksina HPV mbron nga disa lloje të papilomavirusit njerëzor, një virus që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës si dhe kancere të tjera. Vaksinimi ndihmon në parandalimin e infeksioneve dhe uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të lidhura me HPV”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “kryerja e vaksinave ndaj HPV vijon në të gjithë vendin për të përmbushur me sukses dhe këtë fushatë të zgjeruar të vaksinimit për vajzat e moshës 13 -20 vjeç ndaj HPV”.
Vaksina kundër HPV është përfshirë në programin kombëtar të imunizimit për të gjitha vajzat që mbushin moshën 13 vjeç.
Vaksina HPV ofrohet në një dozë të vetme, bazuar në vlerësimin e Komitetit Kombëtar të Ekspertëve të Imunizimit dhe në rekomandimet e grupit të ekspertëve të OBSH.