Shqipëria është gati për miqësoren me Luksemburgun, dhe do të jetë një ndeshje tjetër në krahasim me atë me Austrinë, me kuptimin e plotë të fjalës. Skuadra ka mbërritur në Luksemburg ku para zhvillimit të seancës stërvitore në stadiumin Josy Barthel De Biasi ka dhënë dhe konferencën tradicionale të shtypit ku e ka bërë të qartë. 

“Do të kemi disa ndryshime në raport me ndeshjen e parë kundër Austrisë, – ka deklaruar trajneri i Kombëtares duke shtuar, – Do të aktivizohen një pjesë e futbollistëve që nuk luajtën në takimin e parë. Sigurisht që do të provojmë dicka ndryshe, sepse edhe kundërshtarët nuk janë të njëjtë“.

Nga e thëna në të bërë dhe ndryshimi në fakt është total, pasi De Biasi pritet të ndryshojë gjithë formacionin, në fakt nga titullarët kundër Austrisë, “shpëton”  vetëm Berisha mes shtyllave pasi De Biasi do të ndryshojë gjithë ekipin. Kështu në mbrojtje do të jetë Frederik Veseli në të djathtë dhe Naser Aliji në të majte, me Arlind Ajetin dhe Berat Gjimshitin në qendër. Diga e mesfushës me Migjen Bashën dhe Burim Kukelin, me Ledian Memushajn që ka lënë pas dëmtimin dhe do të jetë i spostuar disi më përpara, më të avancuar nga krahët Odise Roshi në të djathtë me Herolind Shalën në krahun e kundërt ndërsa në majë qëndron Sokol Cikalleshi i cili u fut në lojë në pjesën e dytë në Vjenë. 

Një formacion i ndryshuar me 10/11 çka përbën një revolucion total me trajnerin që do të eksperimentojë në mënyrë që të marrë të dhëna të vlefshme për të gjithë futbollistët e grumbulluar për këto miqësore, duke ju dhënë njëkohësisht të gjithëve nga një shans për të treguar vlerat e tyre. 

Për sa i përket seancës stërvitore, gjendja e terrenit në stadiumin Josy Barthel ka qenë tejet e rënduar , aq sa Taulant Xhaka ka rrëshkitur duke u dëmtuar në ijë dhe nuk do të jetë në ndeshje, ashtu si dhe Elsid Hysaj që pas goditjes që mori ndaj Austrisë u nis drejt Italisë për tu bashkuar me Napolin, ndërsa nuk do të luajë as Mërgim Mavraj që nuk mundi të kryejë në Luksemburg rezonancën magnetike për të mësuar shkallën e lëndimit. Shpresëdhënës është fakti se dhe në Josy Barthel nuk do të mungojë sërish lojtari i 12-të, tifozeria kuqezi. Autoritetet Luksemburgase raportojnë për 1 mijë bileta të shitura brenda pak orëve, numër ky natyrisht i destinuar të rritet me kalimin e orëve.